Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me sulmin ndaj gazetares Anila Hoxha dhe operatorit të A2 CNN Endrit Aga. Në prezantimin e buxhetit të vitit 2022 për Policinë e Shtetit, kreu i qeverisë tha se polici që sulmoi gazetarët hedh baltë mbi punën dhe sakrificat e çdo punonjësi policie. Sipas tij polici shkeli vijën e sjelljes së uniformës dhe për këtë mori atë që meritonte.
“Është për të ardhur keq kur individë të caktuar me uniformën e policisë si rasti i dikujt që keqtrajtoi në mes të rrugës një gazetare, jo për faktin se vajza ishte gazetare, por ngjarja u bë edhe më e bujshme për këtë fakt, por në thelb për faktin se keqtrajtoi një qytetare, hedhin hije mbi gjithë këtë punë e sakrifica dhe mbi gjithë këto rezultate. Dhe çdonjëri prej jush punonjësve të policisë që çdo mëngjes del nga shtëpia për të shkuar në një front të vështirë nuk e meriton që në punën e tij dhe imazhin e uniformës që ai apo ajo veshin të ketë tilla stërkala balte që vijnë nga shkelja e patolerueshme e vijës së sjelljes së punonjësit të policisë. Është e rëndësishme që të veprohet siç u veprua me shpejtësi e pa tolerancë”.
Rama theksoi se trupa e policisë së shtetit nuk ka nevojë për asnjë gjest dhe asnjë fjalë të tepërt se është mishërimi i ligjit.
“Por është po kaq e rëndësishme që të theksohet për të gjithë domosdoshmëria që të mbajnë parasysh se trupa e policisë së shtetit nuk ka nevojë për asnjë gjest dhe asnjë fjalë të tepërt se është mishërimi i ligjit dhe ligji nuk flet, nuk bërtet, nuk kërcënon, nuk shan, ligji vepron dhe në veprimin e ligjit është krejt e tepërt të shtohen gjeste dhe të bëhen akte, që faktikisht i ulin kokën atë ditë dhe për disa ditë me radhë të gjithë punonjësve të policisë së shtetit, që të gjithë në atë moment shihen me atë sy, për shkak të dikujt që nuk e meriton të jetë kolegu i tyre”.