Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet në Maqedonisë e Veriut ku ka zhvilluar një takim me homologun e tij Hristjan Mickoski. Pas takimit mes të dyve pati edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në fokus të kësaj konference ishte edhe incidenti i fundit në Shkup me Presidenten Vjosa Osmani. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ngjarja ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë për Osmanin. Ai kërkoi që raste të tilla të mos përsëriten më.
“Ka qenë një përjetim dhe përvoje e rëndë e presidentes së Republikës së Kosovës më 2 gusht ndaj Vjosa Osmanit në aeroportin e Shkupit, aq më tepër që ka qenë me familje dhe dy vajzat e vogla. Autoritete e RMV-së, krerët shtetërorë kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje në tërësi dhe hollësi. Edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që të mos na përsëriten kurrë më situata të tilla”, u shpreh Kurti.
Ndërkohë kryeministri i RMV-së, Hristjan Mickoski ka shprehur keqardhje për incidentin. Ai tha se nuk dëshiron që të tilla situata të tilla të përsëriten.
Ai deklaroi se udhëtimet komerciale janë të njëjta edhe për atë si kryeministër por edhe për zyrtarët tjerë shtetërorë të vendit dhe shtetet tjera.
“Na vjen keq që ka ndodhur një gjë e tillë. Pres që herëve të tjera, Osmani të më njoftojë për udhëtimin e saj, edhe atë privat, që të dalë në aeroport ta pres miqësisht” shtoi Mickoski.
Mickoski shtoi se sjelljen e sigurimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, Maqedonia do ta zgjidhë me institucione vendore.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë në RMV deklaroi se me Kosovën do të forcohen lidhjet ekonomike, bilaterale dhe do të punohet ngushtë për të ndërtuar rrugë të reja, duke marrë si shembull rrugën Shkup-Bllacë dhe Tetovë-Prizren.