Aktualitet Incidenti me rusët në Gramsh, reagon Ministria e Mbrojtjes: Tentuan të hynin...

Incidenti me rusët në Gramsh, reagon Ministria e Mbrojtjes: Tentuan të hynin në uzinë

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar zyrtarisht përmes dy deklaratave në kohë të ndryshme lidhur me incidentin që ka ndodhur në uzinën ushtarake të Gramshit, ku dy ushtarë shqiptarë u sulmuan me lëndë djegëse nga 3 shtetas të huaj.

Ministria thotë se të huajt janë me pasaporta ruse dhe ukrainase. Ata janë ndaluar menjëherë dhe po merren në pyetje.

Ora 22:12 – “Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh. Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë. Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Gjendja shëndetësore e dy ushtarakëve shqiptarë është e stabilizuar”, thuhet në njoftimin e parë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ora 23:14 – “Rreth orës 17:40 të ditës së sotme (e shtunë 20 gusht), roja në Uzinën Ushtarake të Gramshit ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi. Të dy efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë. Pavarësisht thirrjes së rojes dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij. Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij.

Menjëherë pas njoftimit policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.

Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas. Ndaj personeli i Policisë Ushtarake ka njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, e cila ka bërë ndalimin edhe të dy personave të tjerë jo shumë larg nga uzina.

Shërbimet e Policisë  bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25  vjec, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Të tre personat aktualisht janë të shoqëruar nga policia, e cila në bashkëpunim me institucionet e tjera po vijon hetimet mbi ngjarjen e ndodhur.

Në vendngjarje ndodhen edhe përfaqësues të Policisë Ushtarake dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit po koordinojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërsa dy ushtarakët e dëmtuar pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në deklaratën e dytë të Ministrisë së Mbrojtjes.