Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka komentuar sërish incidentin në uzinën ushtarake të Gramshit. Nga sheshi “Skënderbej” ku ndoqi fluturimin e dy avionëve amerikane, Kim tha për gazetarët se SHBA është përkrah Shqipërisë dhe se pret të shohë përfundimet e hetimit rreth kësaj ngjarje, protagonistë të së cilës u bën dy rusë dhe një ukrainas.
“Jemi shumë të lumtur që jemi këtu, në mes të Tiranës, në mes të Shqipërisë për fluturimin historik të dy avionëve bombardues B52. Aleanca me Shqipërinë është serioze, ne do të qëndrojmë përkrah aleatëve të NATO-s gjithmonë. E di që ka pasur disa incidente kohët e fundit, por ne jemi me ju deri në fund. Dhe presim të shohim përfundimet e hetimit dhe vënien përpara drejtësisë të atyre që janë përgjegjës”.
Tre personat e arrestuar në ish-uzinën armatimeve në Gramsh para policëve kanë deklaruar se janë veç turistë dhe kanë pasion fotografinë.
Pavarësisht pretendimit të tyre, sendet personale të dy djemve dhe një vajze, dy prej tyre rus nga Moska dhe një ukrainas janë çuar në laboratorin shkencor.