Ektarina Joshi, pronarja e hotelit, ku ndodhi incidenti me pushuesit në Livadh të Himarës akuzon se çifti kishte dëmtuar sendet në dhomë dhe nuk pranonin të paguani dhe nxitonin të largoheshin pa ardhur policia.
“Që në orën 9 pa ca të mëngjesit donin të iknin. I thotë vajza në recepsion për pagesën. Ne do ikim i thotë vajzës. Zotëria e shau vajzën time me fjalët më banale. Kamerat ka ardhur policia dhe i ka marrë.
Donin të kalonin me makinë mbi trupin tim. Zotëria që duket në video (që pengon makinën të lëvizë) i tha po pate bërë dëm, hajde ta paguash.
I kisha thënë prisni të vijnë organet përkatëse, isha ulur në mes të rrugës, ata më shtynë tre katër metra me makinë. Kishin një fëmijë 2-3 vjeç me vete që u tmerrua. Videon me çarçafët e djegur ma kanë dërguar ata duke më shantazhuar, është video e prerë, jo e plotë” tha Ektarina Joshi te “Ftesë në 5”.
Pronarja e hotelit thotë se ka bërë kallëzim në polici dhe kërkon dëmshpërblim. “Policia ka ardhur pasi kishin ikur ata. Me policinë e rendit shkojmë në hotel. Bëmë kallëzim penal. Dua të më shpërblehet dëmi që më është bërë në pronën private dhe shqetësimi familjar, sepse është biznes familjar.
Jam Katerina dhe jam krenare për bizneset që kam ngritur me mund. Atë mënyrën e arrogancës nuk e toleroj, unë jam grua dhe kam vajzën 33 vjeçe, nuk lejoj njeri të më injorojë dhe të më shkelë në karakterin tim. Na njeh Himara dhe gjithë Shqipëria”.
Kryefamiljari që u përball me pronaren në Himarë: Na ndoqën me makinë e motor, vajza kaloi traumë
Ndërkohë, Visar Mato i cili ka një tjetër version.
Visar Mato, i cili bashkë me të shoqen dhe fëmijën u akomoduan në vilën e Ektarina Joshit, tregon gjithë konfliktin me pronaren.
Ai tregon se shkoi me bashkëshorten e tij dhe vajzën 6-vjeçare ditën e enjte pasdite. Kishte prenotuar të qëndronte deri ditën e shtunë. Të premten në mëngjes i kërkoi një zonje që punonte në vilë internet meqenëse përfshihej në pagesë si shërbim. Përgjigja që mori ishte që nuk ka. Më pas vunë re probleme me higjienën dhe vendosën të largoheshin.
Dolën nga vila dhe i dhanë pagesën për ditën që qëndruan zonjës që shërbente. Po ajo u kërkoi që të bënin dhe pagesën e ditës së shtunë. Ata nuk pranuan dhe më pas nisi debatin për një çarçaf që zonja pretendonte që ia kishin djegur me hekur. Bashkëshortja e Visar Matos i tha se kjo nuk ishte e vërtetë dhe u larguan. Por në dalje të Himarës vunë re një makinë që bënte manovra dhe i binte borisë së mjetit duke i bllokuar rrugën. 42-vjeçari thekson se ndaloi pasi mendoi se dikush kërkonte ndihmë.
Nga makina zbriti një grua që sipas tij ishte pronarja e vilës Ektarina Joshi e cila nisi t’u kërkojë llogari për pagesën për të cilën në fakt nuk morën as faturë dhe për dëmet që ajo pretendon se familja Mato i kishte bërë.
Duke qenë se nuk e gjetën gjuhën e komunikimit, Mato thotë se tentuan të iknin, por 52-vjeçarja u shtri në rrugë, ndërsa i afërmi i saj nuk i lejonte të lëviznin.
Më pas ai u detyrua të kthehej pas. Po ata vazhduan ta ndiqnin. Mundi të shkëputej nga ta pasi zonja përplasi një mjet tjetër. Ndërsa thekson se po ndiqej dhe nga një motor. Gjatë rrugës pa një furgon policie, kërkoi ndihmë dhe u kthye pas për në komisariatin e Himarës.
Aty ndodhej vetëm një punonjës policie që u tha të qetësoheshin se askush nuk po i ndiqte më. Nuk iu duk serioz komunikimi dhe u detyrua të nisej për në Sarandë ku dhe bëri kallëzimin. 42-vjecari thotë se kjo ngjarje i ka kushtuar shumë. Shëndeti mendor i vajzës është rënduar, ka kaluar traumë. Ai e ka vizituar tek një psikiatër.