Dr. Bledar Kurti
“Në fillim ne u japim formë ndërtesave tona; por më pas janë ato që na japin formë neve.” – Winston Churchill
Arkitektura flet me një gjuhë tejet të veçantë e specifike. Ndryshe nga gjuha e letërsisë, muzikës, skulpturës dhe pikturës, e cila kërkon përfshirje të vetëdijshme individuale, që do të thotë: njeriu përkushtohet vullnetarisht për të lexuar një libër apo të shkelë brenda një galerie arti, arkitektura përfshin aspektin konjitiv të pavetëdijshëm individual e kolektiv, dhe është një sistem i organizimit funksional të hapësirës, shpalosjes artistike të formës, simbolizmit dhe imazhit me një ndikim jashtëzakonisht të fuqishëm ndër-breznor. Arkitektura formëson ndërgjegjen e një shoqërie si edhe modelon standardin e së bukurës. Gjithashtu, ajo përcakton rendin shoqëror pasi, siç është tashmë e provuar nga një mori hulumtimesh, ndikon në respektimin apo mos-respektimin e ligjit nga qytetarët, nxit apo privon imagjinatën krijuese, stimulon apo dëmton fertilitetin, stabilizon apo trazon gjendjen mendore dhe ndjesitë emocionale, e madje, përmes fuqisë së simbolizmit dhe formave gjeometrike, shpalos gjininë, përkatësinë, botëkuptimin dhe ideologjinë e një qendre urbane apo edhe sentimentin e një kombi të tërë, për shembull: përmes formave falike dhe kontureve vertikale qiellore qytetet e shtetet transmetojnë mesazhin mashkullor të forcës dhe pushtetit, ndërsa përmes gjeometrisë rrethore e harkore, e linjave horizontale, atë të feminitetit, elegancës, traditës dhe hijeshisë.
Arkitektura është i vetmi medium që formohet prej nesh e më pas formaton tërësisht mënyrën tonë të jetesës. Ajo na formëson vetë ne. Kësisoj, kjo e vërtetë na nxit të mendojmë se çfarë po ndodh me rendin e sotëm arkitekturor në vendin tonë, i cili prej tre dekadash ka mbijetuar pa një rend të mirëfilltë urbanistik e pa një logjikë të shëndoshë konceptuale si promotore e së bukurës dhe artit të kulluar.
Çdo qytet ka atlasin e vet mendor për banorët dhe vizitorët. Ashtu si atlasi yjor ndihmon për t’u orientuar me qiellin, qendrat urbane kanë objekte ikonike që shërbejnë për harmonizimin e jetës qytetare dhe koordinimin e komunitetit. Vitet e fundit është vënë re një shtim i godinave impresionuese në qytetet apo rrethinat e tyre në mbarë vendin dhe arkitektë shqiptarë po flasin me një gjuhë të re e moderne, me projekte e koncepte arkitekturore novative, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Dhe për këtë progres në fushën e arkitekturës duhen duartrokitur një mori profesionistësh, të cilët me krijimet e tyre e kanë përmirësuar sentimentin e hapësirave publike duke injektuar art në perceptimin e përbashkët shoqëror.
Në fillim të vitit 2023 u njoftua në media se “Presidenti më i ri i Forumit të Arkitektëve të Ballkanit është një shqiptar dhe ai quhet Indrit Hamiti,” i cili disa muaj përpara kishte përfaqësuar vendin tonë në Bienalen Ballkanike të Arkitekturës, e mbajtur në Beograd, si edhe me studion e tij “Inceptio shpk” u shpall fitues i konkursit ndërkombëtar “Art në Hapësira Publike” për vitin 2022 së bashku me artistin e njohur kinez Liu Ruowang me projektin “Wolves Coming” tashmë të vendosur në hyrje të Koplikut. “Art në Hapësira Publike” përfshin skuadra artistësh dhe arkitektësh vendas e të huaj për të realizuar vepra arti që do të përmirësojnë imazhin e hapësirave publike të shtrira nga veriu e deri në jug të vendit.
Vendlindja e këtij arkitekti është Durrësi, qyteti ndaj të cilit tre dekadat e fundit kanë qenë më të pamëshirshmet urbanistikisht se sa qytetet e tjera të vendit. Ndërtimet e shumta, qoftë ato rezidenciale ashtu edhe ato publike, u bazuan mbi shfrytëzimin në kosto dhe përfitime, pothuajse pa asnjë gjurmë bukurie apo ngjyrimi artistik. Kësisoj Durrësi u shndërrua në një zhurmë urbanistike e rëndë dhe e padëshifrueshme për banorët dhe vizitorët. Plot arna tullash e betoni mbi një rrobë fisnike të bukur të trashëguar nga të parët tanë dhe nga vetë historia.
Përveçse ka krijuar projekte të rëndësishme në mbarë vendin e më gjerë, deri në Francë, për shembull me objektin Notre Damme de Niege në komunën Aix-lens-Bains, ai njihet edhe si autori i objekteve ikonike të Durrësit të sotëm, duke e rikthyer bukurinë arkitekturore përmes disa godinave që njihen e konsiderohen si pika referimi për banorët dhe janë tejet tërheqëse për vizitorët e huaj, duke përmbushur atë që arkitekti i njohur Frank Lloyd Wright e përshkruan si “Një ndërtesë nuk është thjesht një vend për të jetuar, por një mënyrë për të jetuar.”
Projektet arkitekturore bazohen gjithnjë mbi disa parime të panegociueshme, sado imagjinative të jenë ato, si: kontrasti, lëvizja, proporcioni, ritmi, hierarkia, motifi, simetria, boshti, hapësira, theksimi, qendrueshmëria, përsëritja, bashkimi, bardhësia, radhitja, lidhja, varieteti, harmonia, simbolizmi, efekti urban e shoqëror dhe ndikimi konjitiv mbi individin. Por si në çdo art, dhe arkitektura, përveçse është shkencë e aplikuar është edhe art, e duhet t’i përgjigjet thirrjes epokale të trashëgimisë artistiko-historike dhe të rindezë ndjesitë kombëtare apo lokale të harruara, të pluhurosura, apo edhe ekzistuese e të dukshme.
Thënë thjeshtë: arkitekti ka përgjegjësinë e pasimit të stafetës së dijes së marrë si trashëgimi nga e kaluara, por edhe duhet të nderojë gjënë më të vyer mbi të cilën ai ndërton projektin e tij, që është toka. Çdo pëllëmbë tokë ka një histori për të treguar. Kësisoj, narrativa qytetare e kombëtare që bart ajo tokë, çmimi i gjakut, i sakrificave dhe i përpjekjeve të mundishme të figurave e mendjeve të lavdishme që paguan për lirinë e atij dheu, që edhe pse në shumë raste mund të jenë pronë private, ajo gjithësesi jeton me ajrin e komunitetit dhe me frymën e identitetit historik.
Shembulli më i mirë i kësaj sinestezie, është Vila VIII, një prej godinave të projektuar nga ky arkitekt. Me një fasadë të bardhë e të stilit neogotik Vila VIII është dritë në një rrugicë pa diell.
Vila VIII
Me vendodhje në rrugën “Dom Nikoll Kaçorri” një figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare të Shqipërisë, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, klerik dhe zëvendëskryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, pas pavarësisë, objekti shërben si një urë lidhëse midis bulevardit kryesor të qytetit “Rruga Epidamn” dhe zonës së vjetër e patriotike, pas bashkisë, ku kanë qëndruar figura të shquara të historisë së vendit tonë si Ismail Qemali, Fan Noli, etj. E kjo lidhje është arritur mrekullisht nga referimi që autori i projektit i ka bërë stilit të Andrea Aleksit (1425-1505) arkitektit durrsak i cili la gjurmë të rëndësishme në periudhën e rilindjes evropiane, me vepra që gjenden kryesisht në Itali dhe Dalmaci, por i harruar nga historia dhe kritika shqiptare. Ky homazh ndaj Andrea Aleksit e ka rikthyer në vendlindje arkitektin dhe artistin e madh të rilindjes evropiane të shekullit të 15-të.
Te Vila VIII dallohet fryma arkitekturore e Loggia dei Mercanti ad Ancona të Aleksit, dhe qysh në ballinë vërehen motifet e Katedrales së Shën Lorencit në Trogir, Kroacia e sotme. E gjithë struktura është e stilit dalmato-venecian, me elementë të dukshëm te motifet e përsëritura me elegancë. Edhe interiori i vilës është tejet impresionues përmes ornamenteve, formave dhe ngjyrës së drunjtë, me atmosferë të thellë ndër-shekullore. Një sy i stërvitur kupton që korniza e portës përmban elementë bizantin të Kapelës së Shën Dhimitrit në Patriarkanën e Pejës ndërsa tavanet janë të stilit venecian. Gurët i përkasin zonës së Krujës dhe mjeshtrit gurëvënës janë lokalë. Ka ripërdorim të gurëve të vjetër si edhe risjellje motifi të pllakave ekzistuese të godisë së vjetër. I gjithë projekti shpaloset rrjedhshëm në formë duke përçuar bukuri, por edhe duke respektuar parimin arkitekturor të formës në shërbim të funksionit, pasi Vila VIII është ndër godinat më të frekuentuara dhe tërheqëse në qytetin e Durrësit.
Ekziston një parim themeltar në artin pamor, një provë e krijuesve por edhe e kritikëve, sipas së cilës, mjafton të formosh një rreth me gishtin e madh dhe atë tregues e më pas shiko në çdo vend të pikturës apo skulpturës, qoftë në qendër apo edhe në cepat fundore të telajos apo te elementët më periferik të statujës, dhe nëse ajo pjesë nuk është art në vetvete atëherë artisti nuk e ka arritur qëllimin e vet. Te Vila VIII, çdo fragment, i matur edhe me centimetra, është art dhe plot detaje të cilat flasin vetë më shumë se një mijë fjalë, duke e bërë të gjithë godinën të jetë një plotësi mesazhesh të harmonizuara që bashkohen në një narrativë kuptimplote. Një narrativë sharmante dhe e mrekullueshme që komunikon drejtëpërdrejtë me shikuesin dhe vizitorin.
Kisha Katolike e Shën Luçisë
Pak hapa larg Vila VIII ndodhet Kisha Katolike e Shën Luçisë me kambanore, e vitit 1909, e tjetërsuar në teatër kukullash gjatë regjimit komunist, e restauruar gjatë viteve të fundit nga Hamiti. Përveç rëndësisë fetare që ka kjo kishë, si edhe asaj patriotike, pasi në qelën e saj mblidheshin patriotët durrsakë për të marrë vendime të rëndësishme që çuan në ngritjen e flamurit më 26 nëntor 1912, elementët arkitekturor janë me vlerë e rëndësi të veçantë, kësisoj ruajta e orgjinalitetit dhe e identitetit si një kompleks ipeshkvik, prezervimi i pjesëve të dëmtuara tërësisht, si për shembull, këmbanorja kërkonte një punë kërkimore shteruese, si edhe gërmime për të nxjerrë në dukje strukturat e nëndheshme. Sot, pas restaurimit të Hamitit, kjo kishë konsiderohet si një prej objekteve më ftuese të qytetit, pasi çdo kalimtar spontan ajo e kthen në vizitor dhe cilindo vizitor e kthen në admirues të kapelës, kolonave e afreskeve, nefeve, tavanit dekorativ, dyshemesë me mozaik, rrëfenjtores, si edhe të tre varreve që gjenden në sakristinë. Sot në këtë kishë dëgjohen lutjet dhe këngët ndaj Hyjit, por edhe muzika klasike apo fjalët poetike e letrare të recituara nga shkrimtarë të ndryshëm pasi ajo është zgjeruar në funksion edhe në një hapësirë komunitare e artistike.
Së fundmi, kësaj kishe i është shtuar edhe një relief i bazuar mbi një skenat e poliptikut të titulluar Santa Lucia e storie della sua vita, nga Quirizio da Murano, piktor venedikas i shekullit të 15-të, realizuar nga skulptori durrsak Qazim Kërtusha e cila i është dhuruar kishës nga vetë arkitekti Hamiti.
Ky arkitekt i ka kushtuar shumë vëmendje e punë vlerave historike e arkitekturore të Durrësit. Në vitin 2014 ai realizoi një video rikonstruksion virtual të qytetit të fillim shekullit të 20-të, punuar mbi harta dhe fotografi të vjetra. Për herë të parë, objekte si Kisha e Shën Spiridhonit, Xhamia e Bardhë ose Kai Hanm, Konaku, Porta e Jallisë, Fari, etj, u shfaqën në vendndodhjen e tyre origjinale. Ky video rikonstruksion do mbetet një burim themeltar për hulumtuesit dhe për referencat e historisë së qytetit.
Për Durrësin ka një rëndësi të pandashme edhe shtrirja gjeografike me plazhin e madh ku një seri objektesh, kryesisht hotele e vila, kanë autorësinë e Hamitit. Hoteli Bleart, i projektuar me dritare në Alfabetin Mors që transmetojnë mesazhin “Teza, Sinteza, Antiteza,” është shembull i një qasje të re arkitekturore. Po ashtu janë edhe projektet e tjera të frymës rrethinore e ambientale si Kodra e Kuajve te Shkëmbi i Kavajës apo Blerina Farm në dalje të Tiranës, një projekt i prezantuar në Bienalen e Shkupit dhe të Beogradit.
Vila Trinity
Vila Trinity është intriguese qysh në emërtim. Trinity, trinia, koncepti i tre-në-një, plotësi përmes treshit, etj, është një koncept që daton sa vetë njeriu. Trinia njihet gjerësisht si referencë hyjnore, si numër i plotësisë dhe i shenjtërisë pasi I referohet Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, përmendet 467 herë në Bibël, respektohej në kulturën babilonase si qarku i përmbushur i treshes lindje, jetë dhe vdekje, në Egjiptin e lashtë dhe kulturat e lindjes i referohen si syri i tretë, pra perceptimi, në qytetërimet e hershme evropiane konsiderohej si numri i përsosur i harmonisë, mençurisë dhe mirëkuptimit, ndërsa në mesjetë nisi të shpalosej edhe në formën e stilizuar si “Giglio Fiorentino” zambaku i Firences apo “Fleur-de-lis” si emblema e Francës, e madje edhe në tablotë e pikturave triptike, kryesisht në vendet flamande, më e njohura prej të cilave është Kopshti i Kënaqësive Tokësore e Hieronymus Bosch. Studime psiko-linguistike kanë zbuluar se mendja e njeriut kupton e memorizon më mirë nëse dëgjon fjalë që përsëriten tre herë, ndërsa studimet neuro-konjitive kanë arritur në përfundimin se mendja e njeriut i perception më mirë objektet në treshe.
Vila Trinity e projektuar nga ky arkitekt, duket si një ilustrim i prekshëm futurist i këtij koncepti tejet të lashtë. Objekti ndodhet në Tiranë dhe është i konceptuar si një triptik me tre volume të lidhura me një cilinder qendror transparent. Ashtu si ndërtesat gotike të kishave mesjetare projektoheshin për t’u parë nga lart, nga ku dukej forma e kryqit, nga optika qiellore Vila Trinity duket si një lule ornamentale e përsorur tri-petalëshe me rrethin që shërben si karpelë e pikë gravitacionale. Cilindri është edhe një atrium për shpërndarjen e lëvizjes në vertikalitet dhe horizontalitet dhe njëkohësisht shërben si kolonë drite, që e përçon atë deri në katin e nëndheshëm me anë të një dyshemeje transparente.
Në pjesën e sipërme të atriumit është vendosur në një kat të ndërmjetëm një kapsulë me funksion studioje e cila shërben edhe si belvedere në analogji me kullën, si element i rëndësishëm i ndërtesave në zonën e Mesdheut e më gjerë.
Planet e pjerrëta trekëndore të godinës shpalosin lojëra volumore si nga përbrenda ashtu edhe nga jashtë. Kjo strukturë arkitekturore është një kombinim i formave vëllimore dhe hapësinore, me një ndërveprim artistik. Simbolet grafike të saj – si rrethi, trekëndëshi, katrori, drejtkëndëshi, etj – kanë simbolikë të lashtë. Karakteristikat figurative të këtyre formave të thjeshta “të përjetshme” gjenden në të gjitha gjurmët e hapat e historisë njerëzore ndaj te vëllimet anësore të Vila Trinity dallohen lehtësisht piramidat, dhe te cilindri kuptohet pasqyrimi i tempujve të diellit, hënës, perëndeshës së tokës Vesta, me format e tyre të rrumbullakëta, por objekti i krijuar nga Hamiti shpaloset me një frymë të re arkitekturore, me një pozicionim sfidues ndaj busullës, e flet një gjuhë ikonike përtej kohës. Ajo integrohet butësisht me panoramën e gjerë, me siluetën pemore dhe me vargmalet e Dajtit, e megjithatë lëshon një britmë therëse ekzistenciale që tërheq vëmendjen e çdo kalimtari e vizitori, e mbetet në kujtesë në mënyrë të pashlyeshme, pasi me tre helikat prej guri të lidhura nga cilindri qendror transparent duket sikur e bëjnë godinën të pluskojë në natyrë e në ajër, e të pëshkrojë çdo dimension gjeografik dhe kohor.
Blerina Farm
Me vendndodhje në fshatin Laknas, në dalje të Tiranës, ky plan kompleks arkitekturor është një dirigjurë e kulluar në harmonizinin e elementëve tradicional, hapësinor dhe konceptual të lidhura thellësisht me mjedisin. Në zemër të kompleksit ndodhet godina qendrore e cila përmban elementë ndërtimi si gurë dhe lëndë druri të zonës lokale. Kjo përzgjedhje materialesh krijon një atmosferë unike që bashkon sharmin e fshatit me ndjesinë e elegancës. Çdo njësi brenda kompleksit shërben si një homazh ndaj trashëgimisë arkitekturore tradicionale vendase dhe ballkanike.
Ngjyrat e fasadave janë tejet piktoreske. Niveli rrafshor ka ngjyrë të drunjtë dhe okër, pra koloriti bazë i tokës, ndërsa niveli i sipërm ka ngjyrë të kaltërt, duke krijuar një lidhje me qiellin e me efektin e iluzionit optik të përbashkimit organik peizazhor. Çatia mbi ballinën e kaltërt nuk ka kënde apo linja të drejta por është ornamentale, duke krijuar iluzionin e siluetës së peizazhit sipas imagjinatës së vizitorit, e duke e përforcuar kështu lidhjen e objektit me fantazinë dhe natyrën. Tre dritaret shenjojnë simbolizmin mesjetar evropian dhe simbolizmin e altarit dhe shërbejnë si pika qendrore e të gjithë projektit.
Një element i rrallëgjendur në planet e sotme arkitekturore është struktura e lartë prej druri, e referuar si kulla e erëzave, një tipar i mrekullueshëm e lozonjar për syrin, që përmbush një rol të dyfishtë, duke shërbyer si një mjet për tharjen e barishteve e erëzave por edhe duke siguruar një belvedere magjepsëse. Oborri qendror është një hapësirë pulsuese, i projektuar për të shërbyer si zona e komandës perceptuese të vizitorit, duke kujtuar e ndjellë ndjesinë e bujtinës e hanit, dhe qetësinë shpenguese të manastireve.
Një veçanti tjetër e kompleksit është inkorporimi i elementeve dekorative origjinale prej druri që zbukurojnë çatitë, frymëzuar nga konturet e gjetheve të rukolës. Këto zbukurime përçojnë një elegancë organike në përbërjen arkitekturore. Për më tepër, fasada jugore, e cilësuar si “fasada e shtëpisë së shpendëve”, qëndron si një mishërim i mrekullueshëm i konceptit të harmonizimit të natyrës me arkitekturën. Frymëzuar nga fasadat e njohura të shtëpive të shpendëve, prezantohet një element dinamik në pjesën e jashtme të ndërtesës.
Në thelb, Blerina Farm shërben si një testament i qëndrueshëm i mjeshtërisë arkitekturore, një manifestim i homazhit kulturor dhe një shkrirje fluide e traditës dhe inovacionit, duke ofruar një udhëtim transcendent në kohë, hapësirë dhe kulturë.
Arkitektura e Hamitit si art, utopi, empati, moral dhe nevojë sociale
Marrdhënia e individit me qytetin apo shtetin e tij apo të saj është një marrëdhënie dashurore. Pikat e lidhjes janë kujtimet, historia, tradita, atmosfera, dhe pasioni i brendshëm i përkatësisë. Qyteti apo vendbanimi është një utopi racionale dhe një univers moral. Këto tipare janë edhe më të rëndësishme te shqiptarët pasi jemi një popull që lëngojmë dëshpërimisht në kërkim të bukurisë dhe harmonisë, si brenda vetes, si me njëri-tjetrin, ashtu edhe me identitetin tonë kombëtar dhe me mjedisin e përditshëm urban përreth nesh. Urbanisti i njohur Kevin Lynch, ishte pioner i koncepteve të imazherisë dhe lexuesshmërisë urbane, referuar deshifrimit të peizazhit urban në nivelin individual. Sipas tij, çdo qytet ka një imazh urban që duhet të jetë i lexueshëm e i deshifrueshëm. Kjo siguron kuptim, empati, moral dhe nevojë sociale. E njëjta gjë vlen edhe për objektet arkitekturore. Ato jo vetëm japin mesazhin e shpalosin shpirtin, imagjinatën dhe vizionin e arkitektit por edhe lexohen e deshifrohen në mënyrë individuale. Objektet e arkitektit Indrit Hamiti janë tejet komplekse në projektim, pasi lidhin vertikalisht dhe horizontalisht të gjitha elementet stilistike, historike, artistike, hapësirore e imagjinative, e megjithatë janë qartësisht të zëshme te individi e shërbejnë si pika fokale në urbanistikën e qytetit apo të rrethinave.
Edhe një sy i pastërvitur e dallon motifin e shtëpive beratase apo gjirokastrite te Blerina Farm, të ndërthurur me stilin e sarajeve tradicionale shqiptare e të ngjyrosura me konceptin e oborreve mesdhetare që ndërthurin funksionalitetin dhe vlerësimin gjeometriko-hapësinor. Te Marinaj Hotel në Tiranë, ky arkitekt ka ndërthurur monumentalen me magjepsjen dhe artin si tipare që i shërbejnë rëndësisë së hapësirës urbane. Kjo godinë duket qartazi si e dalë nga tabloja “La Musicienne,” e Georges Braque ose shumë vepra kubiste të Pablo Picasso. Të gjitha projektet e tij kanë zë unik artistik por mbi të gjitha përçojnë ndjenjën e empatisë kolektive dhe nevojës së bashkimit dhe zhvillimit shoqëror, kaq shumë të domosdoshme në kulturën e sotme.
Ekzistojnë tre lloje njerëzish në këtë botë: ata që i bëjnë gjërat të ndodhin, ata që i shikojnë gjërat teksa ndodhin, dhe ata që pyesin veten se çfarë ndodhi. Duke parë projektimet dinamike e avant-garde të arkitetit Indrit Hamiti, ambientet ku do donte të banonte e t’i vizitonte çdo njeri, mund të thuhet me siguri se ai hyn te njerëzit që i bën gjërat të ndodhin me efekt të jashtëzakonshëm në shoqëri, duke frymëzuar brezat e rinj të arkitektëve, duke nxitur dëshirën e përbashkët për të bukurën e duke transformuar jetën urbane.
Njerëzit i injorojnë godinat që injorojnë njerëzit, ndaj godinat ikonike të këtij arkitekti novativ, të ndërtuara anëembanë Shqipërisë janë të mbushura plot me frymë njerëzore pasi janë projektuar si mesazh, qëllim, e dashuri për njerëzit. Dhe ky ka qenë, është e do të mbetet, qëllimi i artit të vërtetë.