Mjeku Pëllumb Pipero duke folur rreth rasteve të shtuara me Covid-19 gjatë dy ditëve të fundit, në emisionin “Open” përmendi edhe rastin e një infermiereje që ka infektuar 13 persona të tjerë në një spital në Tiranë.
Sipas Piperos e infektuara në fjalë nuk dihet se ku e ka marrë Covid-19. Pipero thekson se infermierja e ka refuzuar izolimin pavarësisht se i është këshilluar, para se të dilte përgjigja e tamponit.
“I është rekomanduar të izolohet, por nuk e ka zbatuar këshillën. Ka qenë papërgjegjshmëri e një individi. Nuk e dimë ku e ka marrë infeksionin. Ka shfaqur shenja të Covid-it. Ndërkohë po hetohet rasti se ku mund ta ketë marrë. Personeli mjekësor nuk duhet të humbas vigjilencën”, tha mjeku Pipero.
Mjeku u shpreh më tej se hapja e vendit është në momentin e duhur, pasi kurba e infektimeve tregon se gjendja është nën kontroll.
“Jam shumë krenar që isha pjesë e këtij ekipi. Sot gjendja është nën kontroll. Hapja për të cilën foli kryeministri po bëhet në momentin e duhur. Gjendja e COVID-19 deri tani është nën kontroll dhe nuk kemi pasur probleme të mëdha”, u shpreh ndër të tjera Pipero.