Infermierët në Britani janë këshilluar që të mos i mbajnë veshur uniformat e tyre në publik, për shkak se rrezikojnë të bien pre e dhunës.
The Times shkruan se stafit mjekësor u është thënë gjithashtu që të fshehin kartat që i identifikojnë postin e tyre në publik, pas raportimeve të njerëzve që përpiqeshin t’i vidhnin për të marrë trajtim preferencial gjatë orarit të kufizuar të blerjeve.
Një e-mail u dërgua infermierëve të enjten, në të njëjtën ditë kur britanikët u mblodhën në orën 8:00 për të duartrokitur stafin mjekësor për punën e tyre kundër koronavirusit.
Në email thuhet: “Deri në një njoftim të mëtejshëm, të gjithë infermierët nuk mund të veshin më uniformat e tyre kur udhëtojnë për të shkuar apo për t’u kthyer nga vendi i punës… Ka pasur raste të raportimit të disa infermierëve që sfidohen nga publiku, kështu që kjo nuk është vetëm për t’ju mbrojtur ju nga mbartja e ndonjë gjëje në uniforma, por nga abuzimi i mundshëm.”
Në përgjigje të këtij emaili, një infermiere i tha The Times: “Nuk jam e çuditur, për fat të keq. Unë e di se njerëzit janë të shqetësuar dhe të mërzitur dhe ne jemi objektiva të lehtë. Na është thënë gjithashtu që të fshehim kartat që na identifikojnë në punë, të jemi të kujdesshëm kur i përdorim ato”.
Këto karta u janë vjedhur shpesh infermierëve, nga njerëz që kërkojnë të marrin ushqim falas dhe të përfitojnë nga oraret për të bërë pazarin, ku bluzave të bardha u jepet përparësi.