Nga Fabrizio Dragosei – Corriere della Sera
Akuzohen se kishin dhënë informacione të gabuara që tani është arsyeja e ngadalësimit të avancimit rus në Ukrainë. Janë të dy “besnikë” të Presidentit.
Duhej ti jepnim presidentit të gjitha informacionet e nevojshme për të vlerësuar me kujdes situatën brenda Ukrainës që ai të vendoste se çfarë do të bënte. Në vend të kësaj, shefi i shërbimit të huaj i Fsb dhe zëvendësi i tij jepnin informacione të rreme dhe përvetësonin paratë që ishin të destinuara për të rekrutuar agjentë, dhe që duhej të bashkonin pjesët e inteligjencës dhe të organizonin operacione subversive. Dhe tani janë të dy në arrest shtëpiak, sipas asaj që thotë një ekspert i njohur i çështjeve ushtarake ruse, Andrei Soldatov.
Vladimir Putin është i zemëruar për kuadrin e gabuar të realitetit ukrainas që i kishin dhënë sepse është pikërisht kjo arsyeja pse plani ushtarak i pushtimit ka ngecur. Sipas burimeve të ndryshme, pritshmëritë e fillimit të “Operacionit special ushtarak” ishin komplet të tjera. Në pak orë, vendi i pushtuar do të ishte rrëzuar dhe ushtarët ukrainas nuk do të duhej pothuajse të reagonin ndaj misionit “miqësor” të kolegëve rusë.
Sergej Beseda (i arrestuar) është shefi i shërbimit të pestë Fsb, pasardhësja kryesore e KGB-së të mëparshme. Bëhet fjalë për Departamentin e Informacionit Operativ i krijuar nga vetë Putin kur ishte shef i Fsb në vitet ’90. Spiunazhi i huaj ishte prej kohësh prerogativë e Svr (drejtoria e parë e KGB) dhe Gru, shërbimit të spiunazhit ushtarak. Por Vladimir Vladimirovich (Putin) kërkonte të kishte “sytë” e tij të drejtpërdrejtë në të gjitha operacionet e inteligjencës në ish-republikat sovjetike, të cilat u bënë të pavarura duke filluar nga fundi i 1991.
Pas të ashtuquajturve revolucione me ngjyra në fillim të këtij shekulli (revolucioni rozë në Gjeorgji, pastaj ai i portokalltë në Ukrainë dhe i tulipanëve Kirgizistan) Putin nisi t’iu besonte vetëm burrave të Fsb. Në fillim të pushtimit, Beseda dhe zëvendësi i tij Anatolij Bolyukh kishin detyrën, sipas lajmeve që janë përgënjeshtruar nga Kremlini, të dërgonin një skuadër speciale për të vrarë presidentin Zelensky. Beseda kishte rekrutuar qindra luftëtarë çeçenë, besnikë të presidentit Kadyrov. Por çeçenët u eliminuan të gjithë nga kundërspiunazhi ukrainas. Ky dështim, së bashku me lajmet e gabuara mbi situatën e brendshme ukrainase, e kanë bindur Putin të heqë qafe Beseda dhe Bolyukh.
E gjithë historia duket se tregon edhe ekzistencën e përplasjeve të brendshme në organet e inteligjencës dhe shërbimet e ndryshme të Fsb. Ukrainasit kanë zbuluar se informacionet për çeçenët i morën nga burim brenda Fsb. Nëse është e vërtetë, sigurisht që bëhet fjalë për dikë që ka dashur të nxjerrë jashtë loje Besedan, deri pak kohësh ndër më të besuarit e Putin. Zëra të brendshme të organeve të inteligjencës i kundërshtojnë akuzat dhe thonë se analistët ishin mbajtur në errësirë të planeve të pushtimit, kështu që nuk mund të jepnin një pasqyrë të dobishme të situatës. Sipas disa lajmeve të shfaqura në ueb, duket se shumë agjentë nuk kanë besim të madh për të ardhmen e pushtimit. Një kërkim mbi shtëpitë në shitje në Krime zbuloi se ditët e fundit shumë apartamente në pronësi të njerëzve të shërbimeve sekrete dhe zyrtarëve publikë kanë dalë në shitje.