Në konferencën e Task Forcës së koronavirusit, presidenti amerikan Donald Trump shokoi mjekë, epidemiologë, e shumë specialistë të fushave të ndryshme të mjekësisë, të cilët reaguan në alarm me sugjerimet e Trump për injektimin e dezinfektuesit në trup, që do të reagonte si një pastrues kundër COVID-19.
I ulur në Zyrën Ovale dhe i rrethuar nga anëtarët dhe ligjvënësit e administratës së tij, Presidenti Donald Trump, u pyet nga një reporter i pranishëm pikërisht për komentet e bëra prej tij gjatë konferencës së një dite më parë.
“Jo, unë bëra një pyetje sarkastike për gazetarë si ju, për të parë se çfarë do të ndodhte. Dezinfektuesi, ose duke vepruar kështu, mbase në duar… do të funksiononte. Unë po i bëja një pyetje Bill, zotërisë që ishte aty dje. Po bëja një pyetje shumë sarkastike para reporterëve në dhomë për injektimin e dezinfektuesit”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.
“Por ju po i bënit presion ekspertëve tuaj të mjekësisë për ta parë këtë mundësi. A ishit sarkastikë edhe me ta?” pyeti një gazetar tjetër.
“Jo, jo, jo. Për të parë nëse dielli mund të na ndihmojë. Sepse ai tha dje që ata kanë bërë një studim të madh. Ky është një studim. Ky është një raport përfundimtar që tregon se dielli ka një ndikim shumë negativ tek virusi”, u përgjigj presidenti.
Replikat mes Presidentit Donald Trump dhe reporterëve janë thuajse të pranishme në çdo konferencë të tij. Mjaftojmë të kujtojmë këtu përplasjen më të fundit mes Shefit të Shtëpisë së Bardhë dhe reporteres së CBS News, për masat e marra nga administrate e tij për koronavirusin e ri.