Raporte të ndryshme tregojnë se popullatat e insekteve nëpër botë po tkurren ndjeshëm, por si i prek kjo njerëzit?
Një studim i kohëve të fundit tregon se bletët, milingonat dhe brumbujt po zhduken tetë herë më shpejt se gjitarët, shpendët dhe zvarranikët.
Një nga arsyet kryesore për këtë fenomen konsiderohet intensifikimi i bujqësisë, përdorimi i pesticideve dhe ndryshimet klimaterike. Por për botën ku ne jetojmë, ky nuk është lajm i mirë.
“Nëse ikin insektet, praktikisht ikin dhe njerëzit”, thonë kërkues si Sylvia Myers qe shpjegon dhe arsyen perse ata janë kaq të rëndësishëm.
Nga sa tregon ajo, insektet janë në fundin e zinxhirit ushqimor dhe prej tyre varen shumë gjallesa, shpendë, gjitarë e njerëzit vetë. Insektet konsiderohen tejet të rëndësishëm në prodhimin ushqimit; janë përgjegjës për pllenimin; rreth 75% e kulturave bujqësore të globit pllenohen prej tyre, dhe ndonëse një pjesë e tyre përshtaten me ndryshimet që po sjell klima apo urbanizimi, kjo nuk ndodh me të gjithë.
Një nga gjerat që njerëzit mund të bëjnë sipas Myers për të frenuar zhdukjen e tyre, është krijimi i liqeneve te vogla apo pellgjeve sepse shume insekte e nisin aty jetën e tyre.