Bashkia Vau i Dejës ka inskenuar dasmën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Kryebashkiaku Kristian Shkreli ndau në rrjetet sociale foto nga ky aktivitet, ku të rinj e të reja sollën në një tjetër dimension martesën që u kurorëzua në vitin 1451, në Kishën e Shën Marisë, mes Gjergj Kastriotit dhe Donika Arianitit.
Përkujtimi i kësaj martesë u realizua ashtu siç mund të jetë festuar në atë kohë, por kësaj here pati të ftuar përveç shqiptarëve nga Kosova, Mali i Zi edhe nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.
“Brezat që do të vijnë të kenë në trashëgim një festë që do t’u kujtojë atyre historinë më të lavdishme të popullit shqiptar”, shkruan Bashkia Vau i Dejës, në faqen e saj online.
Prej disa vitesh, specialistë të trashëgimisë kulturore në Bashkinë e Vau Dejës po merren seriozisht me vlerat kulturore si dhe me mundësinë e madhe që ka kjo zonë për zhvillimin e turizmit.
Kjo ngjarje historike dhe të tjera më pas, do të jenë pjesë e rëndësishme e turizmit kulturor. Prandaj “Dasmën e Skënderbeut” kjo bashki e sjell si një iniciativë pozitive që s’do të mbetet e vetmja duke synuar gjithnjë tek rritja e potencialit turistik.