Babis Anagnostopoulos i cili ndodhet i burgosur për vrasjen e bashkëshortes së tij 20-vjeçare është kthyer në një prej të burgosurve më famëkeq. Ai krijoi një skenar të tërë që ta bënte të dukej sikur Caroline ishte vrarë gjatë një grabitjeje në shtëpi.
Së fundmi media greke Protothema tregon se ai nuk pranon vizitorë në burg dhe qëndron gjatë gjithë ditës në qelinë e tij duke shkruar dhe refuzon të dalë në oborrin e burgut. Sipas një burimi për këtë media, ai ka frikë se mos fotografohet dhe preferon të qëndrojë i distancuar nga të gjithë.
Sipas të burgosurve të tjerë ai shihet tepër i përqendruar kur shkruan në letër dhe qëndron me orë të tëra. Babis ndan qelinë me një punonjës policie të korruptuar dhe një tjetër i burgosur për borxhe.
Momentet e vetme kur ai ndalon së shkruari janë kur ai shkon punon në mensën e burgut si “nëpunës” dhe kur del për të komunikuar me avokatin e tij z. Alexandros Papaioannidis në telefon.
Kujtojmë se Caroline u mbyt në gjumë për 6 minuta nga bashkëshorti i saj Anagnostopoulos, ndërkohë që vajza e tyre Lydia ndodhej aty pranë. Për javë me radhë, Anagnostopoulos luajti rolin e bashkëshortit të ve që vuante ndërkohë që policia kërkonte për ‘grabitësit’ që ai pretendonte se e kishin lidhur dhe i kishin vrarë gruan, ashtu sikurse edhe qenin e familjes.
Më 17 qershor, policia deklaroi zyrtarisht se Anagnostopoulos kishte rrëfyer vrasjen e Caroline, pasi kjo e fundit e kishte kërcënuar se do ta divorconte dhe do të merrte vajzën.
Në rrëfimin e tij tronditës për vrasjen e bashkëshortes me të cilën ishte martuar në vitin 2019-n, Anagnostopoulos me profesion pilot helikopteri tregoi: “Caroline nisi lëvizte të gjithë trupin, në mënyrë që të më ikte nga duar, ndërsa unë vijova ta mbaja të shtrënguar. Në një moment fytyra e saj ishte përmbys mbi jastëk. Vijova ta mbaja me duar derisa ajo reshti së lëvizuri. E gjitha kjo zgjati rreth 5 minuta, që nga momenti kur e përqafova derisa nuk lëvizi më”.