Faqja zyrtare e Institutit të Statistikave, INSTAT ka rënë pre e një sulmi hakerash.
Autorësinë sulmit e ka marrë sërish “Home Land Justice”, grup iranian i cili ka deklaruar në rrjetin social Telegram, se të dhënat e INSTAT tanimë janë në duart e tyre.
Për këtë sulm Instat ka reaguar me anë të një deklarate ku njofton se nga sulmi kibernetik janë prekur disa sisteme.
Por siguron publikun se të dhënat e Censit nuk janë objekt i këtij sulmi pasi janë të ruajtura në sisteme të tjera të dedikuara.
Sipas Institutit të Statistikave janë marrë masa të menjëhershme me ndihmën e ekspertëve kombëtarë të sigurisë kibernetike.
“INSTAT ka ndërprerë menjëherë lidhjet e internetit dhe ka aktivizuar protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore. Aktualisht, nga ekzaminimet e para të kryer nga ekspertët e Teknologjisë së Informacionit, disa nga sistemet e INSTAT janë ndikuar nga sulmi. Përgjigja e menjëhershme e INSTAT përfshin ndihmën e ekspertëve kombëtarë të sigurisë kibernetike, të cilët po bashkojnë burimet e tyre për të kryer një hetim të hollësishëm mbi këtë sulm. Objektivat kryesore përfshijnë përcaktimin e shkaqeve themelore të sulmit, vlerësimin e shtrirjes së dëmit dhe hartimin e zgjidhjeve efektive për të zbutur rreziqet e ardhshme”, thuhet në njoftimin e INSTAT.