Asnjë objekt i ndërtuar mbi 50 vite më parë në Shqipëri nuk do të shembet.
“Nuk është qëllim i këtij ligji dhe as atij që pritet të dalë, nuk do prishen objekte, do riparohen. Ishte tërmeti sita kush qëndroi dhe jo, nuk është Instituti i Ndërtimit ai që do bëjë auditin e godinave të vjetra. Auditi do organizohet nga institucionet e qeverisjes vendore që do kontraktojnë ekipe të inxhinierëve të licencuar për të bërë audit dhe Instituti do certifikojë auditet”, tha drejtori Artan Shkreli për Tv Klan.
Por këto ndërtime, sqaron Instituti i Ndërtimit, do t’i nënshtrohen kontrollit teknik në bazë të një vendimi të marrë më 1 Janar 2020, pas tërmetit tragjik të Nëntorit të vitit 2019.
“Ky pr/vendim që po qarkullon është në mbështetje të ligjit mbi kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit. Një ligj i cili, menjëherë pas tërmetit u pa e nevojshme që të preket në disa prej pikave të tij dhe tre vite më parë në Janar të vitit 2020 është shtuar neni 4.1 i cili thotë që të gjitha objektet që janë mbi 50 vite ndërtim do i nënshtrohen auditimin teknik dhe në mbështetje të këtij ligji është lënë detyrë të përgatiten aktet normative dhe qeveria ka vendosur që me mbarimin e procesit të rindërtimit të fillojë procesi i auditit”, shtoi Artan Shkreli.
Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Artan Shkreli thotë se ky vendim para 3 vitesh u mor për arsye sepse objektet e ndërtuara përpara viteve ‘70 janë ngritur jashtë kushteve sizmike.
“Nga kjo pikëpamje objekte kaq të vjetra që nuk dihet se çfarë ka ndodhur me këto objekte qoftë nga amortizimi apo ndërhyrja, këto do i nënshtrohen një ekspertize që do i japë qetësinë shtetit, qeverisë, qytetarëve dhe bankave. Gjithashtu edhe objektet publike kanë nevojë për audite”, u shpreh Shkreli.
Instituti i Ndërtimit do të jetë hallka finale e cila do të certifikojë auditin që do të kryhet nga inxhinierë të specializuar të kontraktuar nga bashkitë.
Auditi do të përfshijë vetëm pallatet dhe objektet shtetërore dhe jo banesat private. Këto të fundit do të auditohen vetëm me kërkesë të vetë pronarit të objektit.