Kancelari austriak, Karl Nehammer konfirmoi sot mbështetjen e tij për dhënien e statusit të vendit kandidat Ukrainës, por theksoi se vendi nuk duhet të trajtohet ndryshe nga shtetet e Ballkanit Perëndimor sa i përket kushteve për nisjen e bisedimeve.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, Nehammer theksoi se kushtet që kërkohen nga vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vlejnë edhe për Ukrainën.
“Dua të deklaroj se kemi vendosur kritere të qarta që duhet të përmbushen pa “nëse” dhe pa “por”. Nuk duhet të ketë standarde të dyfishta dhe as ndarje mes vendeve si të dorës së parë dhe dorës së dytë”, tha Nehammer. “Do të ishte e paimagjinueshme për mua që t’i japim Ukrainës statusin kandidat dhe të lëmë mënjanë Bosnje-Hercegovinën”.
Prej vitesh tashmë, shtetet e rajonit, përfshi Shqipërinë, kanë marrë statusin e vendit kandidat, por ndërsa me Serbinë dhe Malin e Zi janë çelur kapitujt e negociatave, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ende nuk ka një datë.
Përgjatë viteve të fundit pengesë për këtë është bërë kryesisht Holanda, e cila kundërshtonte nisjen e bisedimeve me Shqipërinë, ndërsa në muajt e fundit Bullgaria ka vendosur veton kundër Maqedonisë së Veriut, për shkak të mosmarrëveshjeve për identitetin bullgar atje.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk pret që negociatat të nisin as pas mbledhjes së ardhshme të Këshillit Europian, që do të mbahet në qershor dhe, në rast se kjo konfirmohet, do të kërkojë që procesi i Shqipërisë të ndahet nga ai i Maqedonisë së Veriut.