Inter vijon të jetë mjaft aktiv në merkato dhe në orët e ardhshme pritet të shtojë dy futbollistë të tjerë nën urdhrat e trajnerit Simone Inzaghi, me synimin për të kompletuar organikën pa nisur ende sezoni.
Bëhet fjalë për uruguaianin Nahitan Nandez, me të cilin ka një akord për një kontratë 4-vjeçare me pagë prej 3 milionë eurosh në sezon, ndërsa vetë futbollisti u ka kërkuar drejtuesve të Cagliarit zyrtarisht largimin.
Marrëveshja mes klubeve mungon ende, por marrëdhëniet janë të shkëlqyera dhe në orët e ardhshme pritet që Marotta e Giullini të darkojnë së bashku për të zgjidhur si transferimin e Nandez në Milano, ashtu edhe atë të Radja Nainggolan të Sardenjë.
Futbollisti uruguaian është një mesfushor polivalent, që mund të përshtatet shumë mirë në treshen e qendrës së këtij reparti.
Megjithatë zëvendësuesi i parë i marokenit pritet të vijë nga Londra dhe bëhet fjalë për anësorin spanjoll Hector Bellerin. Agjenti i këtij të fundit pritet të mbërrijë në Milano në fillim të javës së ardhshme, për të diskutuar detajet e transferimit me drejtuesit zikaltër.
Vetë futbollisti i ka kërkuar Arsenalit largimin, pasi nuk shihet titullar nga trajneri Arteta, ndërsa Interi është treguar i gatshëm ta marrë në huazim me të drejtë blerjeje për shifrën e 18 milionë eurove.
Objektiva të tjerë të zikaltërve janë afrimi i një anësori të majtë dhe një sulmuesi të katërt, por në këto pozicione nuk mund të bëhet asnjë lëvizje pa u larguar më parë kroati Ivan Perisic dhe sulmuesi Andrea Pinamonti, pasi nuk mund të tolerohet një organikë e fryrë veçanërisht në aspektin e kostove.