Klubi i Inter bën me dije se Hakan Calhanoglu, regjizori titullar i mesfushës së trajnerit Simone Inzaghi, vuan një mbingarkesë muskulore në kofshën e djathtë.
Nga vizitat e kryera, rezulton e sigurt se turku do të humbasë dy ndeshjet e radhës në kampionat ndaj Atalantës dhe Genoas, ndërsa synimi i teknikut Inzaghi është ta ketë në dispozicion në kondicionin më të mirë fizik për ndeshjen e kthimit në 1/8-tat e Champions League më datë 13 mars ndaj Atletico Madrid.
Një kohë të saktë për rikuperimin e mesfushorit nuk ka, teksa gjendja e tij do të ndiqet ditë pas dite. Kjo përkthehet ndryshe në një tjetër shans të artë për Kristjan Asllanin që është edhe zëvendësuesi natyral i Calhanoglu te Inter.
Mesfushori i kombëtares këtë sezon nuk ka zhgënjyer me paraqitjet e tij kur i është dhënë mundësia, teksa numëron dy asiste me zikaltërit, i fundit në ndeshjen e së dielës ndaj Leçes në transfertë.