Lukaku është zhdukur, Lautaro ndoshta i përqendruar te merkatoja. Dyshja ka shënuar vetëm gjashtë gola pas pandemisë. Conte sakrifikon dy yje për dyshen Kante-Emerson
Kur nuk shënon, gjithçka bëhet e vështirë për një skuadër. Pas karantinës, dy sulmuesit e Interit, Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez, duket se kanë frikë nga goli, e thonë numrat.
Kjo dyshe startoi mirë pas rinisjes së kampionatit, që të dy shënuan ndaj Sampdorias, duke i bërë tifozët zikaltër të ëndërronin. Një dyshe u bukur dhe konkrete para koronavirusit, por më pas që të dy kanë stonuar. Në ndeshjen e fundit ndaj Fiorentinës ishte Lukaku që zhgënjeu totalisht, duke shpërdoruar tri raste të pastra, njërin nga të cilët me një egoizëm të çuditshëm, pasi mund t’i kishte dhuruar Sançezit një gol të thjeshtë. Një lojë të shëmtuar bëri edhe Martinez, i cili gaboi shumë, ose më mirë gjithçka. Momenti delikat i Interit lidhet pikërisht me shterpësinë e sulmit.
Para ndërprerjes së kampionatit, Lukaku dhe Martinez kishin shënuar 36 gola të dy, pas rifillimit të ndeshjeve vetëm 6. Lukaku ka shkuar diçka më mirë, ka shënuar 4 gola, ndaj Sampdorias, Sasuolos, Bolonjës dhe Romës, kurse Lautaro ka ngritur “frenat e dorës”, duke i shënuar vetëm Sampdorias dhe Torinos. Argjentinasi ndoshta është çorientuar nga zërat e merkatos, që kanë nisur që në kohën kur kampionati ishte i ndërprerë.
Zërat për kalimin te Barcelona nga shtypi spanjoll duket se e kanë bërë Lautaro Martinezin të përqendrohet më shumë aty se në fushë. Ai ende nuk e ka treguar atë që kishte bërë para pezullimit të kampionatit nga pandemia. Rritja e Sançezit ndërkohë i ka dhënë trajnerit Konte një alternativë. Kështu, tri javë para fundit, Interi është i pafuqishëm në sulm, sepse dyshja LuLa e ka harruar golin.
Conte sakrifikon dy yje për dyshen Kante-Emerson
Maurizio Pistocchi, gazetari i njohur italian, ka lëshuar një bombë në adresën e tij Twitter, në lidhje me merkaton e Interit që do të vijë dhe dëshirat e Contes. Sipas tij, plani është që të shiten si Skriniar ashtu edhe Brozovic, për të pasur paratë për të mbërritur te dy futbollistë që Conte i sheh si idealët. Bëhet fjalë për Emerson Palmieri dhe Ngolo Kante të Chelseat. Nuk do të jetë aspak e lehtë që të arrihet, por me ofertën e duhur mund të ndodhë.
Madje, gazetari shton dhe se Skriniar mund të transferohet te PSG ose Manchester United, ndërsa për Brozovic është interesuar Liverpool i Jurgen Klopp. Aktualisht, vlera e të dyve është në total rreth 120 mln euro, para që do të shërbenin për Kante dhe për Emerson.