Inter nuk shkëlqen, por vijon të fitojë dhe të thellojë diferencën me ndjekëset, pasi tani e sheh veten plot 11 pikë larg Milanit të vendit të dytë. Në sfidën e prapambetur nga java e 27, zikaltrit mposhtën Sassuolon me shifrat 2-1 në “San Siro’, duke regjistruar kështu fitoren e 10 radhazi, ose të gjithë ndeshjet e luajtura në fazën e dytë.
Edhe këtë 90-minutësh në “San Siro”, skuadra e Contes u rreshtua mirë mbrapa dhe i besoi daljes së shpejtë në kundërsulm, ku pasi kërcënoi me Hakimin, gjeti avantazhin me Romelu Lukakun në minutën e 10’.
Në minutën e 67’, menjëherë pas një aksioni të rrezikshëm të Sassuolos ku arbitri nuk dha penallti, zikaltrit zbritën shpejt në kundërsulm dhe Lukaku shërbeu për Lautaro Martinez, që nuk e pati të vështirë të shënojë edhe golin e dytë.
Sassuolo provoi të reagojë dhe rihapi takimin me anë të Traore në minutën e 85-të.
Reagon mjaft mirë edhe Juventus, që pas dy ndeshjeve radhazi pa fitore, ia doli të triumfojë me rezultatin 2-1 përballë Napolit në ndeshjen e prapambetur nga java e tretë e kampionatit.
Në një kohë kur e ardhmja e Andrea Pirlos ishte vënë në dyshim serioz dhe mediat italiane kishin nisur aludimet për pasuesin e tij, bardhezinjtë ia dolën të marrin një 3-pikësh mjaft të vlefshëm në ndeshjen direkte për një vend në katërshe ndaj Napolit.
Cristiano Ronaldo në pjesën e parë dhe Paulo Dybala në të dytën shënuan për bardhezinjtë, ndërsa Napoli rihapi ndeshjen me Lorenzo Insignen, që ekzekutoi saktë një 11-metërsh në minutën e 90’, por nuk kishte më kohë për të shmangur humbjen.
Me këtë fitore Juventusi ngjitet përkohësisht në vendin e tretë me 59 pikë, një më tepër se Atalanta dhe tre më shumë se Napoli, me të cilat do të duelojë deri në fund për një vend në zonën Champions.