Pas Inter-Sampdoria, Atalanta-Sassuolo, Verona-Cagliari dhe Torino-Parma, alarmi për coronavirus-in ka çuar te shtyrja edhe e Juventus-Inter dhe të katër ndeshjeve të tjera.
Një problem i madh për Serinë A, por kryesisht për Inter-in, që është akoma në garë në Kupën e Italisë dhe Europa League. Nëse zikaltrit do t’i shkonin deri në fund në këto kompeticione, atëherë do të luanin në maj plot 9 ndeshje në 24 ditë:
Genoa-Inter (10 maj), Juventus-Inter (13 maj), Inter-Napoli (17 maj), Inter-Sampdoria (nuk është vendosur akoma data e rikuperimit, por 20 maji është e vetmja datë në dispozicion nëse zikaltrit nuk do të eliminohet nga Europa League para kohe), Inter-Atalanta (24 maj).
Gjithashtu, zikaltrit mund të luajnë edhe finalen e Kupës së Italisë (e zhvendosur më 20 maj), gjysmëfinalen e kthimit të Europa League (7 maj) dhe finalen e mundshme të kompeticionit më 27 maj.
Kjo situatë ka shkaktuar shumë pakënaqësi mes tifozëve zikaltër, të cilët kanë shprehur zemërimin e tyre në Twitter me hashtag-et #CampionatoFalsato (kampionat i falsifikuar) dhe #FermiamoStaPagliacciate (ta ndalim këtë palaçollëk).
Marotta: Kjo situatë duhej menaxhuar ndryshe
Pas shtyrjes së derbit të Italisë, Juventus-Inter, Beppe Marotta administratori i deleguar i Interit ka folur për vendimin e ligës italiane të futbollit duke nënvizuar se nuk është plotësisht dakord me zgjedhje e tyre. “Vendimi është marrë nga liga italiane e futbollit. Si qytetar mendoj që situata është emergjente dhe duhet të kemi respekt dhe përkujdesje maksimale ndaj shëndetit. Por si drejtues jam i shqetësuar sepse nëse kjo gjëndje për të mbajtur stadiumet me dyer do të vazhdojë deri në 8 mars, atëherë si do t’i menaxhojmë sfidat Inter-Sassuolo dhe Atalanta-Lazio, duhet përdorur i njëjti kriter dhe të shtyhen edhe ato sfida. Mendoj që kjo situatë duhej menaxhuar më mirë”, tha Beppe Marotta.