Sport Inter, revolucioni ka nisur: Gjysma e skuadrës drejt largimit në verë

Inter, revolucioni ka nisur: Gjysma e skuadrës drejt largimit në verë

Nga Brozovic te Dzeko dhe Lukaku, si dhe me trajnerin Simone Inzaghi nën vëzhgim. Planet e klubit për sezonin e ardhshëm duket se po bëhen pa gjysmën e lojtarëve që janë aktualisht në skuadër. Mesfushori kuqezi, Kristjan Asllani, nuk bën pjesë te ky grup.

Fokusi i drejtuesve të klubit nuk është vetëm te Simone Inzaghi, lentja e zmadhimit inkuadron më shumë pjesëtarë të Interit, shumë lojtarë. Sepse 9 humbje në 27 javë kampionat janë shumë dhe pikëpyetjet janë shpërndarë tashmë te shumë persona. Gjithë Interi është në një test në ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, edhe pse ajo që ka kaluar mjafton për të nxjerrë konkluzione.

NËN LENTE– Është sikur një grup pune ka tradhtuar pritshmëritë mbi një plan që vështirë se mund të përmirësohet. Është një tregues për një skuadër që synon të jetë e madhe. Rendimenti, vazhdimësia dhe aftësia për të mbajtur presionin nga një impenjim të tjetri ka të bëjë shumë, por këtu lojtarët kanë dështuar.

Dhe tashmë janë 11 lojtarë që konsiderohen më shumë jashtë se brenda Interit të ardhshëm. Ndaj Juventusit, trajneri Inzaghi hodhi në fushë 8 lojtarë mbi 30 vjeç dhe kaq mjafton për të imagjinuar një ndryshim të thellë të grupit.

NË SHITJE- Një pikë duhet të jetë e qartë: për revolucionin duhen shpenzime dhe për të ndryshuar 11 lojtarë duhet një merkato kreative, duhet riinvestuar ajo që vjen nga shitjet. Klubi i Zhang është në kërkim të parametrave zero luksi dhe të njëjtën gjë do të bëjë edhe me huazimet, por nuk mund të mendohet se gjithçka mund të shkojë në këtë linjë.

Për këtë është shumë e rëndësishme të fitohet sa më shumë nga shitja e tre lojtarëve në ikje: Brozovic, Dumfries dhe Correa. Për këtë të fundit Interi investoi jo pak, por argjentinasi ka zhgënjyer dhe shanset janë që ai të huazohet jashtë Italisë. Për Brozoviç, duke ditur moshën, vështirë të gjendet një blerës.

Situatë ndryshe për Dumfries, që gjatë Botërorit Interi e vlerësonte 60 milionë euro, por tani ajo shifër nuk ka sens. Vlera ka rënë nga rendimenti i lojtarit.

Lojtaret qe priten te largohen nga Interi

NË SKADENCË- Pastaj janë 6 lojtarë në skadencë kontrate dhe vetëm me 2 prej tyre Interi ka tentuar të rinovojë, Dzekon dhe De Vrij. Tani shanset e qëndrimit për të dy janë reduktuar. Mbrojtësi holandez ka humbur formacionin dhe ka një rrogë big prej 4.5 milionësh.

Dzeko ka një ofertë të Interit në tavolinë, por që nuk plotëson kërkesat e tij. Boshnjaku kërkon kontratë 2-vjeçare, kurse zikaltrit propozojnë rinovimin vetëm për një vit.

TË HUAZUARIT- Në grupin e lojtarëve që mund t’i japin lamtumirën skuadrës në verë janë edhe të huazuarit Lukaku dhe Bellanova. Janë tre në fakt, është edhe Acerbi, që duhet blerë, por sinjalet për të janë pozitive dhe klubi është bindur të shpenzojë për të. Bellanova do të kthehet te Kaljari.

Për Lukakun çështja është më komplekse. Realiteti është se rendimenti i lojtarit nuk e shtyn klubin zikaltër për ta rinovuar huazimin. Ka kushtuar 20 milionë euro një sezon për Lukakun, vështirë të mendohet zgjatja me këto shifra.