Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka shtyrë dasmën e saj për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Evropian muajin tjetër. Njoftimin e dha vetë kryeministrja në një postim në “Instagram”.
Liderët e BE-së kanë planifikuar të takohen ballë për ballë në 17 korrik për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit për të diskutuar buxhetin evropian dhe planet për rikuperimin nga kriza COVID-19.
“Mezi po pres të martohem me këtë burrë. Takimi në Bruksel është planifikuar të mbahet pikërisht të shtunën në korrik, kur unë kam planifikuar dasmën. Por unë duhet të bëj punën time dhe të mbroj interesat e Danimarkës. Mezi po pres t’i them ‘PO’”, shkruan Frederiksen në rrjetet sociale, ndërsa kjo është hera e tretë që ajo detyrohet të shtyjë dasmën.
Danimarka ka regjistruar 12.836 raste të koronavirusit dhe 603 vdekje, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins.