Interi fiton lehtësisht me Genoa dhe rimerr kreun e Serie A, së bashku me Juventusin që nesër luan Superkupën italiane kundër Lazios.
Zikaltrit e Antonio Contes vinin nga një barazim zhgënjyes me Fiorentinën në minutat e fundit, dhe me emergjencë në mesfushë, ku mungonin Barella, Brozovic dhe Sensi ende jo në formë. Por edhe një Inter “B” është shumë herë më e fortë se ekipi i drejtuar nga një prej protagonistëve të Tripletës, Thiago Motta, që pas kësaj ndeshje është shkarkuar.
Pas disa rastesh ku portieri Radu tregohet në formë, Interi kalon në avantazh me një goditje me kokë të Romelu Lukaku (33’) , me belgun që do të jetë më pozitivi i ndeshjes, ndërkohë që vetëm dy minuta më vonë Interi mbyll çështjen me golin e Gagliardinit.
Pjesa e dytë flet sërish për milanezët, dhe minuta e ’64 hyn në histori për penalltinë e realizuar nga 17-vjeçari Sebastiano Esposito, të cilit iu besua fanella e titullarit për mungesën e Lautaro Martinez.
Mundësia të riut italian iu dha nga vetë Lukaku, në një gjest altruizmi që do të shpërblente belgun disa minuta më vonë me një gol shumë të bukur, i 12-ti në kampionat.
Me fitoren e sotme, Interi ngjitet në kuotën e 42 pikëve, së bashku me rivalët e përhershëm bardhezi.