Interi i Contes siguroi fitoren e shtatë radhazi në kampionat, teksa iu imponuan 1-2 Veronës në “Bentegodi”, ku të gjithë golat u shënuan në pjesën e dytë. Një sukses ndoshta pa shumë shkëlqim për ekipin e Contes, që më shumë se për spektaklin në fushë po mendon për pikët.
Gjatë pjesës së parë rastet ishin me pikatore dhe momenti që mund të veçohet është ai i minutës së 36-të, kur Marco Silvestri i mohoi golin Lautaro Martinezit.
Gjithsesi, sulmuesi argjentinas do ta gjente rrjetën në minutën e 52-të, pas harkimit Achraf Hakimit nga e djathta.
Për t’i stresuar tifozët zikaltër mendoi portieri Handanovic, që gaboi rëndë në kontrollin e tipit në minutën e 63-të, duke i dhënë mundësinë 19-vjeçarit serb, Ivan Ilicit, të shtynte topin për në rrjetë, për golin e 1-1.
Skuadra e Contes e ruajti qetësinë pas këtij momenti dhe gradualisht ushtroi presion në gjysmëfushën e Veronës, derisa gjeti golin e dytë me mbrojtësin Skriniar, i cili arriti të godiste saktë me kokë, duke e lënë të palëvizur portierin Silvestri.
Pesë minuta para përfundimit të kohës së rregullt Dimarco rrezikoi portën e ziklatërve me një goditje të lirë, me topin që shkoi pak centimetra mbi traversë, gjithsesi në minutat e mbetura skuadra e Contes e kontrolloi lojën, duke marrë një fitore shumë të rëndësishme që e ngjit, qoftë përkohësisht në vendin e parë me 33 pikë, duke vënë në presion Milan që luan sonte me Lazion.