Inter nuk arrin të përfitojë nga problemet e shumta të Lazios, pasi nuk shkon më shumë se një barazim 1-1 në “Olimpico”, duke ngecur që në javën e tretë të kampionatit dhe duke lënë Atalantën të vetme në krye.
Barazim dhe sherr
Vendasit vinin pas humbjes së thellë 1-4 ndaj Atalantës dhe trajneri Simone Inzaghi përballej me probleme të shumta në prapavijë, të cilave iu shtuan edhe tre zëvendësime të detyruara që në pjesën e parë.
Kërcënimin e parë të rrezikshëm e dha Lazio, me Luis Alberton që i shkoi pranë golit, por Handanovic reagoi mirë dhe grushtoi në këndore topin e gjuajtur prej fantazistit spanjoll.
Kërcënimin e parë Inter e dha me një zbritje të shpejtë të Barellës, por topi i kthyer prej tij nuk u shfrytëzua si duhet nga Lautaro, i cili pak minuta më vonë gjuajti ngjitur me shtyllën pas një tjetër krosimi të mesfushorit italian.
Goli i avantazhit erdhi në minutën e 30’, kur pas një këmbënguljeje në zonë të Perisic, topi shkoi me fat te Lautaro Martinez, i cili gjuajti menjëherë dhe dërgoi sferën në rrjetën e portës së Thomas Strakoshës.
Në fillim të pjesës së dytë ishte Romelu Lukaku që pati një mundësi të artë për të dyfishuar avantazhin, por gjuajtja e tij ishte e gabuar dhe përfundoi jashtë, ndërsa më pas erdhi kundërpërgjigja e Lazios, që riktheu baraspeshën me anë të serbit Milinkoviç—Saviç.
Serbi u harrua në shtyllën e dytë dhe pas një krosimi të saktë, gjuajti bukur me kokë, duke dërguar sferën në rrjetë, ndërsa goli i dha zemër Lazios, që iu afrua rrezikshëm portës së Handanoviç në disa momente.
Conte vendos të ndryshojë në minutën e 67’ dhe hedh në fushë Sensin e Ashley Young, ndërsa dy minuta më vonë arbitri ndëshkon me karton të kuq Ciro Immobilen, për një shuplakë në fytyrën e Arturo Vidal që e provokoi.
Zikaltrit provojnë të gjejnë golin e barazimit, por gjuajtja e Lautaros është jashtë kuadratit.
Në minutën e 86’ ka sërish kaos në fushë kur arbitri Marco Guida, që largon nga fusha e lojës Stefano Sensin me karton të kuq, pasi ky i fundit shtyu pa sens në një rivënie anësore spanjollin Patric.
Me forcat e balancuara në fushë, Conte provon edhe kartën Alexis Sanchez, ndërsa Interi godet edhe shtyllën me Brozovic, por pa arritur të gjejë golin e fitores.
Hakmerret Inzaghi
Në ndeshjet e tjera në kampionatit italian, Philippo Inzaghi u “hakmor” ndaj Bolonjës për një shkarkim të dy sezoneve më parë, duke e mposhtur me rezultatin minimal 1-0 me Beneventon e tij, falë golit të shënuar nga Lapadula.
Ndërkohë mori fitoren e parë edhe Parma, që mposhti po me shifrat 1-0 Veronën në “Ennio Tardini”. Verdheblutë gjetën golin e fitores që në minutën e parë me anë të sllovenit Kucka, i cili shënoi pas një asisti të Yan Karamoh.