Interi është eliminuar nga Champions League dhe Kupa e Italisë, ndërsa edhe në kampionat është thuajse jashtë gare, duke qenë se e shikon veten 9 pikë larg Juventusit kryesues, kur kanë mbetur edhe 13 ndeshje për t’u zhvilluar.
Në merkaton e kaluar, në dispozicion të Antonio Contes erdhën disa futbollistë, që ndryshuan tërësisht formacionin e zikaltërve, por duket se një pjesë e mirë e tyre nuk kanë eksperiencë ndërkombëtare dhe u mungon mentaliteti fitues, ai që bën diferencën në ndeshjet e rëndësishme.
Pikërisht për këtë arsye, Ausilio dhe Marotta kanë filluar të mendojnë për afrimin e futbollistëve të talentuar, por mbi të gjitha me eksperiencë në nivelet ndërkombëtare, ndërsa emri që kryeson listën është ai i marokenit të Borussias së Dortmundit, Achraf Hakimi, i cili pas 30 qershorit do të jetë pjesë e Realit të Madridit, që ka pronësinë e kartonit të tij.
Madrilenët kërkojnë 50 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa në garë përveç Interit, janë edhe Borussia Dortmund e Bayern Mynih, ndaj një rol të rëndësishëm do të luajë vetë dëshira e lojtarit, që duket se preferon skemën 3-5-2 të Contes, ku mund të shprehet më mirë dhe të ketë më shumë liri për të sulmuar gjysmëfushën kundërshtare.
Sa i përket mesfushës, objektivi i vërtetë është Sandro Tonali dhe për të Interi vijon negociatat me Brescian, që momentalisht nuk ka ndërmend të ulë pretendimet nga 50 milionë euro, ndërsa zikaltrit po negociojnë për të përfshirë edhe një apo dy lojtarë të rinj në marrëveshje, për të ulur shifrën e parave që duhen paguar kesh.
Megjithatë edhe italiani nuk është se ka eksperiencë për t’u vlerësuar, pasi është vetëm në sezonin e tij të parë në Serinë A, ndaj Conte vijon të këmbëngulë për afrimin e Arturo Vidal, që bashkë me Eriksenin e afruar në janar, do të shtonin ndjeshëm si përvojën, ashtu edhe cilësinë në skuadër.
Sa i përket sulmit, zikaltrit janë në pritje të vendimit të Barcelonës për Lautaro Martinez dhe nëse katalanët do të vendosin blerjen e tij, atëherë Marotta dhe Ausilio do të provojnë afrimin e brazilianit të Manchester Cityt, Gabriel Jesus, kartoni i të cilit kushton rreth 70 milionë euro dhe paga aktuale është vetëm 5 milionë euro në sezon.
Gabriel Jesus ka humbur besimin e Guardiolës dhe nuk është më i pazëvendësueshëm te Manchester City, ndërsa Conte e shikon si njeriun ideal për të luajtur në krah të Lukakut, pasi ka shpejtësi dhe teknikë të lartë, ndryshe nga belgu që e plotëson me fizik dhe vizion për lojën.
Të gjithë këta emra janë në listën e Contes dhe drejtuesve zikaltër, që duan të rikthehen me patjetër te trofetë, duke nisur nga sezoni i ardhshëm, ndonëse edhe këtë vit nuk janë dorëzuar as për kampionatin dhe as për Ligën e Europës, që do të luhet në muajin gusht