Një gjeneral i Emirateve të Bashkuara Arabe i akuzuar për torturë është zgjedhur president i Interpolit, tha agjencia globale e policisë, pavarësisht shqetësimeve të organizatave të të drejtave të njeriut dhe anëtarëve të Parlamentit Evropian.
“Zoti Ahmed Nasser al-Raisi i Emirateve të Bashkuara Arabe është zgjedhur në postin e presidentit”, shkroi Interpol në Twitter.
Mediat britanike shkruajnë se Raisi, aktualisht, kreu i forcave të sigurisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, do të marrë një rol kryesisht ceremonial dhe vullnetar gjatë mandatit të tij katërvjeçar.
Kundër Raisit u depozituan ankesa për tortura muajt e fundit në Francë dhe Turqi, e cila po pret asamblenë e përgjithshme të Interpolit në Stamboll këtë javë.
Emërimi vjen pas financimit bujar nga Emiratet e Bashkuara Arabe për Interpolin, i cili është me qendër në Lion të Francës dhe akuzat që Abu Dhabi ka abuzuar me sistemin e tij të “njoftimeve të kuqe” për të dyshuarit e kërkuar për të përndjekur disidentët politikë.
Tre anëtarë të parlamentit evropian i shkruan një letër në datën 11 nëntor presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të paralajmëruar ndikimin që emërimi i gjeneralit do të kishte në Interpol.
“Zgjedhja e gjeneralit al-Raisi do të minonte misionin dhe reputacionin e Interpolit dhe do të ndikonte rëndë aftësinë e organizatës për të kryer misionin e saj në mënyrë efektive”, shkruan ata.
Dhe në tetor 2020, 19 OJQ, përfshirë Human Rights Watch, shprehën shqetësimin për zgjedhjen e mundshme të Raisit, të cilin e përshkruan si “pjesë e një aparati sigurie që vazhdon të synojë sistematikisht kritikët paqësorë”.