Kryeministri Edi Rama përsëriti këshillën drejtuar Beogradit për të pranuar realitetin e krijuar në Ballkan duke e njohur shtetin e Kosovës, por në intervistën dhënë për televizionin serb “Pink”, ai refuzoi që të flasë për çështjen e kufijve.
“Serbia duhet të shohë realitetin dhe të pranojë që Kosova është një shtet i pavarur dhe i lirë. Është e pashmangshme domosdoshmëria për pajtim dhe sa më shumë Serbia vazhdon me ëndrrën sikur asgjë nuk ka ndodhur, aq më i dhimbshëm do të jetë ky realitet, jo vetëm për serbët, por për të gjithë”, tha Rama.
Intervista u realizua me televizionin serb, Pink Tv nga gazetarja Ksenlja Vuçiç. Gjatë bisedës është folur për të gjithë spektrin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, por ai që zuri faqet e para në mediat online dhe ato të print në Beograd ishte artikulli me titullin që vendoste në gojën e kryeministrit shqiptar fjalët e bashkimit me Kosovën.
“Shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë janë vëllezër dhe ata duhet të bashkohen”, citohet Rama prej tyre, duke nënvlerësuar pjesën e dytë të idesë së kryeministrit të Shqipërisë, që ka shtuar se bashkimin e sheh si proces, jo vetëm mes shqiptarëve, por mes gjithë vendeve të rajonit përmes integrimit në BE.
“Unë vetë nuk jam për kufij, as me Maqedoninë, as me Malin e Zi, as me Kosovën dhe as me Serbinë. Ne duhet të punojmë që t’i heqim kufijtë”, deklaroi Rama.
Intervista është realizuar në ditët e protestës së opozitës.
I pyetur nga gazetarja serbe mbi aksionin opozitar shqiptar, Rama i qëndroi parimit të vet. “Nuk komentoj me gazetarë të huaj miqtë e mi të opozitës shqiptare”, tha ai.
Rama tha se është vënë në shënjestër të kritikave si nga kryeministri i Kosovës, ashtu edhe në Beograd për çështjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe këmbënguli. Taksën e interpretoi si një vendim politik të detyruar të Prishtinës ndaj qëndrimeve të Beogradit dhe se në samitin e Berlinit nuk kishte kërkuar heqjen e kësaj takse, por pezullimin si një mjet për t’i rihapur rrugën dialogut Kosovë-Serbi.
Mes gjithë atyre që Rama tha për televizionin serb, ajo që tingëlloi më fort në veshët e zyrtarëve të Beogradit ishte pjesa ku flet për bashkimin e shqiptarëve. Ministri i Jashtëm serb reagoi me shpejtësi dhe për këtë iu drejtua Brukselit.
“Pse nuk reagon Bashkimi Europian ndaj këtyre deklaratave tronditëse të politikanëve shqiptarë për bashkimin e Kosovës me Serbinë. Rama e tha troç se Shqipëria dhe Kosova janë një shtet me një president, me një politikë të jashtme dhe politikë sigurie dhe askush nuk e kritikoi atë. Nëse dikush nga Serbia do të fliste me këtë gjuhë për Republikën Srpska do të kritikoheshim nga BE”, deklaroi Ivica Daçiç.
Mbi intervistën është rrëfyer edhe vetë protagonistja e saj, gazetarja Ksenija Vuçiç. Ajo rrëfen se për të përgatitur këtë bisedë i ishte dashur plot dy muaj kohë komunikim me protokollin e Kryeministrit të Shqipërisë dhe se ishte habitur nga një detaj.
“Ajo që më habiti ishte fakti që Rama nuk kërkoi asgjë, nuk vendosi asnjë kusht, asnjë kërkesë speciale. Nuk kërkoi të dinte paraprakisht as pyetjet”, deklaroi ajo.
Gazetarja serbe rrëfen se vizitonte për herë të parë Tiranën dhe se ndryshe nga imazhi që kishte në kokë për Shqipërinë ishte habitur pozitivisht për atë çka kishte gjetur, megjithëse shton se sërish, kryeqyteti i Shqipërisë ishte “nja 15 vite pas Beogradit”.
Një tjetër detaj që u pasqyrua në mediat serbe ishte edhe gjesti me tre gishta që gazetarja i tregon kryeministrit të Shqipërisë. Vetë Ksenija Vuçiç thotë se nuk ishte gjest i qëllimtë, por ishte një ilustrim pas pyetjes që i kishte bërë Edi Ramës mbi simbolin e shqiponjës. Ky simbol u shndërrua në objekt debati në Beograd së fundmi, kur kushëriri i një bukëpjekësi shqiptar në Serbi postoi e postoi në rrjetet sociale dhe më pas e fshiu.
Kaq mjaftoi që para furrës së bukëpjekësit Mon Gjuraj të grumbulloheshin për disa ditë me radhë protestues ultranacionalistë serbë. Rama e solli si shembull këtë rast për të treguar se simboli i shqiponjës nuk është provokim. Gazetarja iu kthye duke pretenduar se as simboli me tre gishtërinjtë ngritur nuk është i tillë.
“Nëse unë dal nëpër Tiranë me tre gishtat lart, sa e sigurtë jam?”, pyeti ajo. Kryeministri shqiptar iu përgjigj se asgjë nuk do t’i ndodhte, por edhe nëse do të kërcënohej shtoi me shaka se do të dilte vetë për ta mbrojtur.