Politika Intervista/ Ilir Meta flet për lidhjen speciale mes shqiptarëve dhe hebrenjve

Intervista/ Ilir Meta flet për lidhjen speciale mes shqiptarëve dhe hebrenjve

Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës në Izrael ku mori pjesë në ceremonitë që shënuan 75-vjetorin e çlirimit të Aushvicit dha edhe një intervistë për gazetën më të madhe vendase “The Times of Israel”.

Gjatë intervistës, kreu i Shtetit bisedoi me gazetarin Larry Luxner, për Holokaustin, tërmetin që tronditi Shqipërinë, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështjen e Kosovës.

Intervista e Presidentit Meta

“Unë jam këtu sepse nuk duhet të harrojmë kurrë”, – tha Presidenti Meta, duke nisur intervistën tonë ekskluzive 45-minutëshe.

“Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të tregojmë solidaritetin tonë me ata që vuajtën kaq shumë dhe humbën jetën gjatë Holokaustit. Ne gjithashtu duam të nderojmë të mbijetuarit që dëshmuan këtë gjenocid, dhe t’i dërgojmë një mesazh të qartë kujtdo që promovon përjashtimin, urrejtjen dhe dhunën se antisemitizmi nuk ka vend në shoqëritë tona. Në këtë Forum unë përfaqësoja Shqipërinë, e cila ishte unike jo vetëm për mbrojtjen dhe shpëtimin e të gjithë hebrenjve të saj, por edhe për mbrojtjen e mijra hebrenjve të tjerë që erdhën në Shqipëri nga vende të ndryshme për të mos u shfarosur”.

Pohimi i guximshëm i Presidentit Meta mbështetet në fakte solide historike. Pothuajse të gjithë hebrenjtë e Shqipërisë mbijetuan nga pushtimi nazist gjerman falë myslimanëve dhe të krishterëve vendas, të cilët gjithashtu strehuan mijëra refugjatë hebrenj në shtëpitë e tyre, shpesh pa marrë parasysh sigurinë e jetës.

“Ishte detyrimi ynë për ta bërë këtë. Por ne shpresojmë që kjo lidhje e madhe midis kombeve tona do të rezultojë në një marrëdhënie më produktive për të ardhmen. Ne mund të mësojmë shumë nga Izraeli dhe gjithashtu të jemi partnerë shumë efektivë, veçanërisht në çështjet e sigurisë, sepse përballemi me kërcënime si terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.”, – tha Presidenti Meta

Vizitë historike

Kjo është vizita e dytë e Presidentit Meta në Izrael; e para e tij ishte si Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, në vitin 2014. Këtë herë, ai jo vetëm që u takua me homologun e tij, Reuven Rivlin, por e ftoi në Shqipëri.


Nëse Rivlin do ta bëjë vizitën këtë vit, siç edhe pritet, ai do të bëjë histori si Presidenti i parë izraelit që viziton zyrtarisht Shqipërinë.

I ndjeri Shimon Peres udhëtoi për në Tiranë në 1994, tre vjet pasi të dy vendet vendosën marrëdhënie diplomatike, por si Kryeministër, jo si President. Në korrik 2018, zyrtarët në kryeqytetin shqiptar i kushtuan një memorial në kujtim të tij.

Presidenti Meta tha se duhet të bëhet një dallim i qartë midis politikave armiqësore anti-Izraelite të diktaturës tiranike të Enver Hoxhës dhe ndjenjave të njerëzve të zakonshëm ndaj hebrenjve.

“Megjithë retorikën e regjimit komunist kundër Izraelit gjatë asaj kohe, populli hebre në Shqipëri ishte shumë i respektuar dhe i integruar mirë në vendin tonë. Një nga mësuesit e mi më të mirë, Marlena Dojaka, ishte hebreje, dhe ne jemi akoma në kontakt. Hebrenjtë ishin ndër intelektualët më të mirë të Shqipërisë.”, – tha Presidenti Meta.

Kur komunistët u rrëzuan në fillim të viteve 1990, praktikisht të gjithë hebrenjtë emigruan në Izrael. Sot, ata dhe pasardhësit e tyre këtu numërojnë rreth 550 veta, tha drejtuesja e komunitetit Felicita Jakoel, e cila ishte midis një përfaqësuesve të bashkësisë izraelito-shqiptare për t’u takuar me Presidentin Meta para intervistës time. Organizuesi i atij takimi ishte Bardhyl Canaj, ambasadori i Shqipërisë në Izrael.

“Nëse ne tolerojmë antisemitizmin, ai mund t’i rrezikojë të gjithë, jo vetëm hebrenjtë. Gjatë Holokaustit, gjashtë milionë hebrenj u vranë. Por, të gjithë që i ‘braktisën’ hebrenjtë, në fund e kuptuan se kushdo mund të jetë viktimë e politikave të tilla”.

Përpjekjet për rikuperimin e tërmetit vazhdojnë

Meta tha se miqësia e Izraelit me Shqipërinë u shfaq më 26 nëntor 2019, kur republika Ballkanike u godit nga një tërmet 6.4 ballë që vrau 51 njerëz. IDF (ushtria izraelite) menjëherë dërgoi një ekip të specializuar për të nxjerrë të mbijetuarit dhe për të përcaktuar nëse banesat dhe ndërtesat nga ana strukturore ishin të sigurta pas tërmetit.

“Ka pasur dëme të mëdha, dhe për fat të keq patëm 51 jetë të humbura gjatë kësaj tragjedie,” tha Meta. “Por ne jemi të vendosur për t’u përballur me këtë krizë humanitare dhe kemi dhënë ndihmë për të gjithë njerëzit që vuajtën gjatë këtij tërmeti.”

Më 17 shkurt, donatorët ndërkombëtarë do të takohen në Bruksel, për të diskutuar një paketë ndihme masive për Shqipërinë, e cila pësoi një humbje ekonomike të vlerësuar prej 1 miliard eurosh. Presidenti tha “ne do të rregullojmë buxhetin tonë në përputhje me rrethanat”.

I pyetur se çfarë i bëri përshtypje më shumë për dy ditët e tij në Izrael, Meta u përgjigj shpejt: Shkolla “Lauder” e Qeverisë, Diplomacisë dhe Strategjisë – një departament i IDC Herzliya.

“Më thanë që disa dekada më parë, shkolla përbëhej nga vetëm disa ambiente të vjetra. Por falë vizionit të Izraelit për të promovuar arsimimin e standardeve më të larta, ai u shndërrua në një institucion udhëheqës – jo vetëm në Izrael, por ndërkombëtarisht”, tha ai. “Kjo është fuqia e transformimit që ka populli izraelit, dhe kjo është diçka që duhet të mësojmë si shqiptarë, si ta transformojmë vendin tonë në të ardhmen.”

Kosova

Një nga qëllimet e gjata të Shqipërisë është të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Por kjo ëndërr ende nuk është realizuar.

Rruga për në Bruksel ka qenë e mbushur me pengesa, dhe e fundit erdhi në mes të tetorit 2019 kur Macron bllokoi në mënyrë të efektshme të Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga fillimi i bisedimeve të anëtarësimit me arsyetimin se nuk kishin bërë sa duhet në lidhje me politikat ekonomike, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit.

“Ne jemi shumë të vendosur për t’u anëtarësuar në BE”, deklaroi Meta. “Është e vërtetë që Presidenti Macron ka kërkuar të rishikojë metodologjinë e zgjerimit të BE-së, dhe shpresojmë që kjo metodologji të rishqyrtohet shumë shpejt. Unë fola me të nëntorin e kaluar kur isha në Paris. Ne jemi në kontakt me BE-në dhe shpresojmë që së shpejti do t’i hapë rrugë vendimeve pozitive për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.”

Para se të përfundoja intervistën tonë, unë e pyeta Presidentin Meta nëse Shqipëria po punon me qetësi prapa skenave për të nxitur vendosjen e lidhjeve diplomatike midis dy miqve të saj më të mirë: Kosovës dhe Izraelit.

“Kosova dhe Izraeli kanë një miqësi të madhe. Ne dëshirojmë dhe shpresojmë që Izraeli ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur. Unë nuk mund të flas në emër të secilit vend, por ka simpati të madhe midis kosovarëve për hebrenjtë, dhe anasjelltas. Shpresoj se do të vijë koha. Deri atëherë, të gjitha mundësitë për bashkëpunim dhe zhvillim dypalësh duhet të shfrytëzohen”, – tha Presidenti Meta.