Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, deklaroi se investigimi i televizionit RAI 3 nuk kishte qëllim “për të sulmuar qeverinë shqiptare apo popullin shqiptar, por besoj se janë qëndrime të ndryshme dhe armiqësore ndaj qeverisë italiane”.
“Mendoj që duhet vlerësuar fakti që për të sulmuar qeverinë italiane, sulmohet edhe një partner ndërkombëtar. Shpreh solidaritetin tim për ta hedhur poshtë të gjithë këtë përbaltje dhe premtoj që në të ardhmen do të jemi më të vëmendshëm për të gjitha marrëveshjet e tjera, pasi nuk mund të rrezikojmë marrëdhëniet me vendet e tjera”, deklaroi Meloni.
Ndërsa kryeministri Edi Rama theksoi se qeveria shqiptare nuk ka bërë llogari se çfarë do të fitojë ekonomia e zonave ku do të priten emigrantët në Shqipëri, pasi “gjithçka administrohet nga pala italiane”.
“Ne kemi dhënë shtëpinë tonë për një hall që kishte Italia. Çfarë llogarish ka bërë Italia kur ka nisur këtu mijëra ushtarë? Kur nisi reparte zjarrfikësish kur ra tërmeti? As nuk tha se kjo gjë kushton kaq, as kërkoi ndere si shkëmbim, por i bëri sepse kështu funksionon raporti që kemi ne me Italinë. Mundësitë e pakta që ne kemi për ndihmë mund t’i shfrytëzojë vetëm Italia. Nuk ka këtu kalkulime të asnjë natyre”, deklaroi Rama.
“Kjo është marrëveshje zemre dhe përgjegjësie në raport me një miqësi strategjike”, shtoi më tej Rama.