Kryesore Investigimi i VOA-s, Basha: Parlamenti, bodrum i krimit. Qeveri kalimtare

Investigimi i VOA-s, Basha: Parlamenti, bodrum i krimit. Qeveri kalimtare

Duke iu referuar shkrimit të Zërit të Amerikës që flet për blerjeve të votave, kreu i PD, Lulzim Basha theksoi në sallën e Kuvendit se Rama është në pushtet falë mbështetjes së krimit, i cili është vënë në shërbim të tij për të blerë votat.

“Ndaj, gjëja e parë që duhet bërë, kjo seancë duhet ndërprerë dhe njeriu që ka përgjegjësinë për shndërrimin e këtij parlamenti nga tempull i demokracisë në një bodrum të krimit, ku kemi deputetë që nuk kanë marrë asnjëherë fjalën, sepse nuk kanë asgjë për të thënë, sepse arsyeja e vetme se përse janë këtu, është marrëdhënia e tyre me Avdylët, me Keçët, Shullazët, Dajtët, Bandën e Lushnjes, Bandën e Vlorës, Bajrët e Shkodrës”, u shpreh Basha.

Për kryetarin e PD, Lulzim Basha dy janë zgjidhjet për kalimin e kësaj situate: Qeveri kalimtare, ose nga protestat.

“Sot nuk kemi temë më të rëndësishme për të diskutuar se sa mënyra se do të zgjidhet kjo krizë: Ose përmes propozimit të opozitës përmes një qeverie kalimtare dhe jo një qeverie kukullash enigmatike për të justifikuar largimin e atyre që duhet të jenë në burg, sipas përgjimeve që janë bërë publike, ose, ndryshe në këtë sallë, mund dhe duhet ta pastrojë ai të cilit kjo sallë i takon, popullit shqiptar!”