100 fshatra në të gjithë vendin do të përfitojnë ndërhyrje rrënjësore në infrastrukturë dhe mbështetje financiare për bizneset.
Duke filluar nga veriu, përfitojnë fshatra si Lëpusha, Razma, Valbona, Drishti, Mjeda, Fishta, Qelëz, Kryezi, Shishtavec, etj.
Referuar aneksit që shoqëron programin “100 fshatrat” rezulton se qarku me numrin më të lartë të fshatrave të përfshirë në program është Gjirokastra me 13 fshatra të përfshirë, e ndjekur nga Vlora e Korça me nga 12 të tillë.
Ndërkohë Tirana ka 10 qarqe të përfshirë ndërsa Elbasani e Fieri nga 9 të tillë.
Lezha dhe Dibra kanë nga 5 fshatra të përfshirë ndërsa qarku me numrin më të ulët të fshatrave të përfshirë në program është Kukësi.
Në prezantimin e programit, autoritetet kanë pranuar se çdo fshat ka nevojë për investime megjithatë për këtë program janë përzgjedhur fshatrat që kanë më shumë potencial zhvillimi e që mund të gjenerojnë përmes këtyre ndërhyrjeve më shumë zhvillim e punësim.
Programi i Integruar për Zhvillimin Rural do të programojë ndërhyrjet me investime të integruara në zonat e përcaktuara nëpërmjet 3 objektivave kryesore.
Konkretisht, përmirësimi i infrastrukturës publike; Zhvillimi ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike, si përmirësimi i potencialit turistik në hapësirat rurale, agroturizëm dhe turizëm rural, investimet në përmirësimin e shërbimeve tregtare, investime në prodhimin e produkteve tradicionale dhe shërbime të tjera ekonomiko-financiare etj; Zhvillimi i kapitalit social dhe njerëzor.