Nga Brunilda Gorovelli
Investimet janë shumë të rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin e vendit,sidomos në fushën ekonomike. Në vendin tonë së fundmi kemi pasur një interes të rritur të investitorëve të huaj. Duket se fokusi i tyre është qyteti i Durrësit, i lashtë për Shqipërinë dhe me pozicion strategjik. Interesimet kanë qenë nga vende të ndryshme si Franca, Arabia, Kina etj. Një nga projektet që edhe për mediat ka dritehijet e tij është projekti i ri për Portin e Durrësit. Referuar një artikulli të botuar në revistën ekonomike Monitor theksohet se shërbimet e mallrave kanë kaluar nga Porti i Durrësit në Porto Romano, gjë që për specialistët nuk është aspak e përshtatshme. Ekspertët e çështjeve detare nënvizojnë se ende nuk ka një logjistikë të përshtatshme. Ajo që bie në sy është edhe kërkesa e investitorëve kinezë për të qenë prezent me investimet e tyre në Ballkanin Perëndimor. Së fundmi Kina pretendon që të jetë fituese e projektit në Spitallë për ndërtimin e parkut fotovoltaik. Ankandi tashmë është hapur dhe në konkurrim janë kompanitë e huaja si ajo franceze Voltalia, dy kompani gjermane, një kineze dhe një bashkim kompanish shqiptare. Kujtojmë këtu se ky është rasti i tretë për projekte të kësaj natyre, më herët marrëveshja për parkun fotovoltaik në Akërni dhe në Karavasta.
Pse kompanitë kineze shprehin interes për këtë vendndodhje dhe këtë projekt?
Nuk është rasti i parë ku kompanitë kineze shprehin interesin e tyre për projekte të caktuara, këtu mund të përmendim blerjen e të drejtave të kërkimit dhe prodhimit të naftës nga, Canada’s Banker’s Petroleum. Këtë të drejtë e bleu filiali i Geo-Jade Petroleum i Kinës me një çmim prej 384.6 milion €. Apo siç ishte edhe blerja e Tirana International Airport SHPK nga China Everbright dhe Friedmann Pacific Asset Management, duke operuar aeroportin kryesor të kryeqytetit shqiptar. Balkan Insight në artikullin e saj të para 5 viteve thekson se lidhjet e biznesit mes Shqipërisë dhe Kinës po forcohen, duke e bërë partnerin e dytë më të madh tregtar, e njëkohësisht duke lënë pas partnerët tradicional Greqinë dhe Turqinë. Lëvizjet e fundit duket se tregojnë një ambicie kineze në rritje për të kontrolluar sektorët strategjikë të ekonomisë së Evropës Juglindore. Kjo ambicie tashmë ka dhënë fryte në Shqipëri.
Pandemia e Covid 19 e vuri Kinën në fokusin e analizave sa i takon raporteve tregtare me SHBA dhe vendet e Evropës. Zëri i Amërikës nënvizon në një artikull të vitit 2020 se pas krizës së euros në vitin 2008, investimet kineze në Europë u rritën me 50%, ndërsa në Ballkan janë më të larta se ato të vendeve të BE-së. Forma kryesore e investimeve kineze në Ballkan është huadhënia, gjë e cila sipas studiuesve ka sjellë rritje të borxhit publik në disa raste.
Për të ardhur tek pika aktuale konkursi për projektin fotovoltaik në Spitallë. Përse është Kina e interesuar? Referuar artikujve të përmendur më sipër, duket se forcimi i pozicionit strategjik ekonomik është një prioritet për të. Në ditët e sotme kemi një zhvendosje “të luftës konkurruese” mes vendeve, duke marrë prioritet forca ekonomike. Por a është vetëm kjo prioritet? Është kjo një qasje për realizimin e objektivave të saj strategjike? “Diplomacia e investimeve në tregti” është edhe politike? Kina ka një qasje ekonomike me të gjitha vendet e Ballkanit apo rajonit, përjashtuar Kosovën. Në vendin tonë duket se interesi i saj është krijimi i qasjeve në portet detare si në Durrës, Vlorë, Shëngjin, e së fundmi interes edhe në energji. Balkan Insight dhe Foreign Policy ka artikuj të dedikuar për investimet kineze kryesisht në Shqipëri dhe SHBA. Në këtë të fundit ajo ka investuar shumë pranë bazës më të madhe të trajnimit të pilotëve të Forcave Ajrore në Texas. Sipas Foreign Policy, ligjvënësit frikësohen se mund të përdoret për të spiunuar trupat amerikane, prishin rrugët e fluturimit dhe cenojë sigurinë kombëtare. Po vendi ynë a duhet të druhet për një qasje të tillë nga ana e investimeve kineze?