Pelikani Kaçurrel është anëtari më i madh i familjes së pelikanëve dhe zogu më i madh i ujërave të ëmbla në botë, me hapje krahësh të krahasueshme me Albatrosët e Mëdhenj. Kjo specie e rrallë e ka zonën e folenizimit në lagunat e Karavastasë dhe të Nartës, dy hapësira ligatinore të mbrojtura në bregdetin jugor të detit Adriatik.
Megjithatë, sipas aktivistëve mjedisorë e ardhmja e Pelikanit Kaçurrel dhe e shumë specieve të tjera që folenizojnë në lagunat e Nartës dhe Karavastasë është në rrezik, pasi habitati i tyre kërcënohet nga dy projekte të mëdha për resorte turistike, të cilat nuk respektojnë statusin e tyre si zona të mbrojtura.
Dokumentet e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit, tregojnë se këto projekte zhvillimore të propozuara nga kompanitë ‘Mabetex Group’ dhe ‘BFI Invest’, po shfrytëzojnë hapësirat e ligjit për investimet strategjike, i cili i jep përparësi të veçantë investitorit dhe e mbështet miratimin e tyre në vendimmarrje politike.
Ekspertët mjedisorë ankohen gjithashtu se ligji shqiptar për zonat e mbrojtura nuk është i qartë dhe lë hapësira që mund të shfrytëzohen nga kompanitë për të ndërtuar resortet e propozuara.
“Unë e quaj paaftësi, naivitet ose keqdashje, por kategoria e mbrojtjes ‘Park Kombëtar’ ndërkombëtarisht kërkon që në këto lloj hapësirash nuk lejohet asnjë lloj projekti ndërtimor,” tha Aleko Miho, profesor në Departamentin e Biologjisë pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, duke shtuar se si ligji i ri, edhe ai i mëparshmi nuk e përcaktojnë qartë pjesën e ndërtimeve në zonat e mbrojtura.
“Ligjet tona, kur përshtaten i lënë këto hapësira që nuk e thonë shumë qartë se ku dhe çfarë mund të ndërtohet,” shtoi ai.
Pyetur nga BIRN mbi projektin e “Mabetext Group” në parkun kombëtar të Divjakës, kreu i Agjencisë për Zonat e Mbrojtura, Zamir Dedej u shpreh se kishte pak informacion për projektin, ndërkohë që Ministria e Mjedisit nuk iu përgjigj një kërkese për informacion nga BIRN.
“Unë kam pak dijeni për procesin, por di që firma ka bërë një prezantim të ndërtimit të një resorti me ndërtime një katëshe, ku ka paraqitur edhe një Vlerësim Strategjik Mjedisor. Deri këtu jam unë, nuk ka asnjë vendim, asnjë pozicion, asnjë reagim tjetër nga firma,” tha Dedej, duke iu referuar propozimit të Mabetex.
Të pyetura nga BIRN, kompania BFI Invest nuk komentoi mbi projektin në Nartë, ndërsa kompania Mabetex pohoi që projekti i saj për resortin në lagunën e Karavastasë po ecte përpara.
“Mund t’iu them se jemi ende në proces projektimi, kemi dorëzuar raportin e VSM-së në Ministrinë e Mjedisit,” tha Nelson Çela, një përfaqësues i kompanisë.
“Duke qenë se jemi në përfundim e sipër të projektit, nuk mund t’iu them vlerën e saktë të investimit. Po ashtu nuk mund t’iu dërgojmë ende kopje të projektit, pasi akoma nuk e kemi projektin përfundimtar,” shtoi ai.
Turizmi masiv në zona të mbrojtura
Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta” është shpallur zonë e mbrojtur në vitin 1964. Ai zë një sipërfaqe prej më shumë se 22 mijë hektarësh dhe përbën një ekosistem unik, i përbërë nga laguna, duna ranore dhe pyje bregdetare me florë dhe faunë të pasur. Në këtë zonë ndodhen pyje me pisha 400-vjeçare, të cilat shërbejnë si një zonë qendrimi për miliona shpendë shtegtarë.
Në jug të lagunës së Karavastasë shtrihet laguna e Nartës, e cila është një nga më të mëdhatë në Shqipëri, me një sipërfaqe prej gati 20 mijë hektarë. Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Narta është laguna e dytë në vend pas Karavastasë për nga rëndësia për shpendët e ujit, ndërsa përreth lagunës gjendet një florë dhe faunë e pasur tipike e ligatinave mesdhetare. Prej vitit 2004, kjo lagunë gëzon statusin e ‘peisazhit të mbrojtur.”
Projekti i kompanisë “Mabetex” në Divjakë përfshin ndërtimin e mbi 2,300 apartamenteve, disa hoteleve, rreth 370 vilave si dhe objekte ndihmëse si një fushë golfi me 12 vrima e pista për ulje-ngritjen e helikopterëve. Ndërkohë në Nartë, kompania BFI invest ka shprehur interesin për të ndërtuar një resort turistik dhe SPA me 1,2,3 dhe 4 kate dhe 1 kat nëntokë.
BFI invest është një kompani në pronësi të grupit BALFIN, një konglomerat i udhëhequr nga biznesmeni Zamir Mane. Ndërkohë, kompania Mabetex zotërohet nga politikani kosovar Behgjet Pacolli dhe dy vëllezërit e tij.
Resorti i BFI Invest është projektuar në një tokë në pronësi të zhvilluesit, në të cilën në vitet ‘70 ndodhej një pulari që sot është amortizuar. Ministria e Ekonomisë i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi se pasi kërkesa e kompanisë BFI Invest ishte përcjellë nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Sekretariati Teknik të KKT-së, ajo është miratuar me 25 Maj 2017, pasi sipas MZHETTS ky projekt synon “zhvillimin turistik dhe ekonomik të zonës dhe rritjen e punësimit”.
Po ashtu, në përgjigjen e Ministrisë thuhet se Agjencia e Zhvillimit të Territorit duhet të njoftojë zhvilluesin që të ndërmarrë procedurat ligjore për të bërë konvertimin nga tokë “Kullotë” në tokë “Truall” të zonës ku ai do të ndërtohet.
Paralelisht me këtë konvertim, Bashkia e Vlorës ka kërkuar “Rivlerësimin e Kategorisë së Mbrojtjes për një Sipërfaqe Toke në Zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë”, ku bie dhe gjurma e projektit të BFI Invest.
“Me kalimin e kohës, kjo zonë jo vetëm që është rrënuar, por në të gjithë dokumentet aktuale të zhvillimit është parashikuar të jetë një zonë me theks të përcaktuar mirë në funksion të turizmit dhe rekreacionit,” tha në një përgjigje me shkrim Gentian Këri, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë. [kliko këtu për shkresën]
Ndryshe nga BFI Invest, gjurma e projektit të Mabetex Group me seli në Lugano, bie në tokë publike. Interesi i Mabetex për ndërtimin e resortit gjigand në zonën Divjakës është shprehur fillimisht në Nëntor 2015, nëpërmjet një kërkesë të depozituar nga presidenti i kompanisë Afrim Pacolli në Ministrinë e Ekonomisë.
Në shkresën e siguruar nga BIRN, kompania saktëson se ajo po depozitohet pas takimeve paraprake me përfaqësues të zyrës së Kryeministrisë dhe të Ministrisë së Ekonomisë, të cilët e kanë mirëpritur parimisht realizimin e këtij projekti.
Rreth 2 javë pas marrjes së kësaj kërkese, sekretari i Përgjithshëm në atë kohë i Ministrisë së Ekonomisë, Frederik Seiti i kthen përgjigje presidentit të ‘Mabetex Group’, duke i dhënë informacion mbi gjendjen e pronës, në vendin ku parashikohet të ndërtohet resorti.
“Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnje me shkresën nr. 5648/1, datë 22.10.2015 ka informuar për sipërfaqen në total 4978.53 hektarë, e ndarë 4790.9 hektarë shtet, 47.23 hektarë private, 40.8 hektarë tokë në përdorim, 78.8 hektarë koncesion, 21.2 hektarë Bashkia Divjakë,” shkruan Seiti. [kliko këtu për shkresën]
Kompania informohet gjithashtu se Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka përcaktuar dy zona për mundësinë e zhvillimit të turizmit, të cilat i përkasin zonës A të Parkut Kombëtar e cila gëzon mbrojtje të lartë nga ligji.
Përveç miratimit të zonës, MZHETTS i kërkon kompanisë “hartimin e projektit dhe studimit në zbatim të legjislacionit në fuqi për Investimet Strategjike, ligjit për Turizmin dhe planifikimit të territorit”.
Me 25 Nëntor 2015, nëpërmjet një kërkese dërguar Ministrisë së Ekonomisë, në atë kohë e udhëhequr nga Arben Ahmetaj, Mabetex Group ka aplikuar zyrtarisht për fillimin e procedurave administrative për realizimin e ‘projekt-investimit strategjik”. [kliko këtu për shkresën]
Ndërkohë që në një reagim për BIRN, Ministria e Ekonomisë tha se “në vitin 2017, përfaqësues të MZHETTS patën disa takime me përfaqësues të investitorëve dhe një vizitë në zonën ku do të zhvillohet ky projekt”.
“Referuar ligjit shoqëria ‘Mabetex Tirana shpk’ po përgatit raportin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor për master planin “Resort Divjakë Albania,” konfirmoi për BIRN sekretari i përgjithshëm, Gentian Këri.
Mjedisorët kundër resorteve
Propozimet e kompanive zhvillimore për ndërtimin e resorteve në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta dhe lagunën e Nartës, nuk janë mirëpritur nga ekspertët, organizatat dhe aktivistët mjedisorë.
Organizatat mjedisore kanë kundërshtuar fort procesin e rivlerësimit të ‘mbrojtjes’ për sipërfaqen e tokës ku është planifikuar resorti i kompanisë BFI Invest në lagunën e Nartës.
“Në vijim të pjesëmarrjes sonë në këshillimin publik për rivlerësimin e kategorisë së mbrojtjes, konstatojmë se objekti i këshillimit nuk përputhet me materialet e vendosura në dispozicion. Kompania prezantoi në këtë këshillim vetëm projektin teknik dhe të dhëna paraprake për VSM-në [Vlerësimin Strategjik Mjedisor]. Ndaj ky këshillim nuk ishte në përputhje më kërkesën e paraqitur,” u ankuan një grup organizatash mjedisore pranë Ministrisë së Mjedisit.
“Mbështetur në sa më sipër, këshillimi i kryer më 3 prill 2017 nuk ka asnjë vlerë për rizonimin e Zonës së Mbrojtur dhe për pasojë nuk mund të merret aspak për bazë në shqyrtimin administrativ të Ministrisë së Mjedisit,” shton letra.
Ornitologu dhe profesori i Shkencave të Natyrës, Taulant Bino shprehet se kërkesa për të ndryshuar statusin e zonës në lagunën e Nartës ku është projektuar resorti i BFI Invest është i paligjshëm.
“Përveç tjetërsimit të zonës, projekti i ‘BFI Invest’ propozon ndërtime më së shumti në zonën qendrore të peizazhit të mbrojtur, e cila gëzon statusin e zonës strikt të mbrojtur,” tha ai.
“Çdo veprim ndërtimor bie në kundërshtim me VKM-në ‘Për Shpalljen e Ekosistemit Ligatinor Vjosë-Nartë Peizazh Ujor/Tokësor i Mbrojtur’ dhe për pasojë nuk duhet të lejohet,” shtoi Bino.
Bino kundërshton fort edhe ndërtimin e resortit turistik në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, duke thënë se ndikimet në mjedis do të reflektohen në zhdukjen dhe reduktimin e numrit të shpendëve folezues apo dimërues në këtë ekosistem.
“Plani i propozuar prek plot 250 specie te ndryshme shpendësh, prej të cilave 83 specie janë pjesë e ‘Direktivës së Shpendëve’ dhe si të tilla duhet të jenë subjekt i masave të veçanta mbrojtëse të habitateve të tyre, për të siguruar mbijetesën dhe riprodhimin e tyre në zonat e shpërndarjes,” tha ai.
“Plani dëmton të paktën 35 lloje gjitarësh, 24 zvarranikësh dhe 8 peshqish. Plani cënon habitate me rëndësi për Shqipërinë dhe Bashkimin Europian si duna ranore, livadhe mesdhetare halo-psamofile, pyje aluvionale,” shtoi Bino.
Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i organizatës Eco Albania është gjithashtu kritik ndaj projektit të Mabetex në parkun e Karavastasë.
“Projekti i ndërtimit Mabetex dhe infrastruktura shoqëruese e tij ndikojnë në të gjithë Parkun. Të tilla projekte jo vetëm që bien ndesh me ligjet për mbrojtjen e natyrës, por gjithashtu nuk garantojnë zhvillimin e qëndrueshëm të zonës,” tha Nika.
“Turizmi masiv, sidomos në këtë Park Kombëtar, nuk është pika më e fortë e Shqipërisë. Për të qenë konkurrentë me fqinjët, Shqipëria duhet të orientohet drejt eko-turizmit,” shtoi ai.
Nika është gjithashtu kundër propozimit të BFI Invest për resortin në lagunën e Nartës.
“Ndonëse më i vogël në shtrirje dhe teorikisht me ndërtime më “miqësore” me mjedisin, është më i patolerueshëm sepse ndërtohet në një zonë qendrore “pothuajse të virgjër” me një integritet mjaft të lartë natyror,” përfundoi ai.
Në vitin 1995, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është shpallur si zona e parë e mbrojtur sipas konventës Ramsar në Shqipëri. Në muajin Maj, Aleanca Mesdhetare e Ligatinave e cila bën bashkë 20 organizata mjedisore, i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama dhe ish Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka të mos e aprovonin projektin.
“Gjatë dekadave të fundit, qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për konservimin më të mirë të trashëgimisë natyrore të Shqipërisë, në veçanti përmes kontributit në Administrimin e Zonave të Mbrojtura, në ruajtjen dhe fuqizimin e vlerave të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta,” shkruhet në letrën dërguar Ramës dhe Kokës.
“Duke nxjerrë leksione nga i gjithë baseni i Mesdheut, por edhe nga e gjithë bota, është e qartë se zona të tilla të lagështa përbëjnë fuqi të vërtetë të Shqipërisë në termat e vlerës së biodiversitetit, të shërbimeve të shumta ekologjike të ofruara nga populli shqiptar dhe për imazhin e Shqipërisë. Parku nuk duket të konsiderohet si një pengim për zhvillim, por si një avantazh kyç për të ardhmen e kombit dhe popullit,” shtohet në letër.
Banorët mbështesin investimet
Kundërshtitë e organizatave mjedisore kundër projekteve për resorte në zonat e mbrojtura nuk mbështeten gjithmonë nga banorët vendas, të cilat i shohin projektet si mundësi zhvillimi dhe punësimi.
Gjatë një dëgjese publike në fillit të Majit, banorët e Divjakës e duartrokitën mega-projektin e Mabatex për ndërtimin e pallateve dhe hoteleve, duke bërë një vesh shurdh dhe sy qorr ndaj paralajmërimeve të disa aktivistëve mjedisorë për rrezikun që i kanoset parkut kombëtar të Karavastasë.
Disa muaj më vonë, nuk duket se ata kanë ndërruar mendje në lidhje me propozimin e kompanisë së udhëhequr nga Behgjet Pacolli.
“Për mua le të ndërtohet. Mirë do ishte, po nuk është se di shumë. Thjesht kam dëgjuar nga të tjerë,” thotë Irena, e cila drejton një dyqan të vogël në Divjakë.
“Unë kam tregun afër e nuk më ndikon,” shton ajo, e pyetur nga BIRN nëse i frikësohet konkurrencës nga bizneset që mund të hapen në resort.
Më në jug në Nartë, banorët gjithashtu e mirëpresin projektin e kompanisë BFI Invest.
Agroni, një banor i fshatit, i cili e siguron jetesën si i punësuar në ndërtim, thotë se ngritja e një resorti turistik do të ndihmojë punësimin dhe turizmin në këtë zonë.
“Në fakt pak kemi dëgjuar. Për ne kjo është gjë e mirë, por sigurisht pa prishur natyrën dhe mjedisin,” tha ai.
Megjithë mbështetjen e banorëve, të cilët tërhiqen nga prospektet e punësimit gjatë ndërtimit të resorteve, ekspertët mjedisorë paralajmërojnë se ata mund të dalin të humbur nga të ashtëquajturat investime strategjike.
“Ne ambientalistët i masim gjërat edhe me vlerën e investimit. Është një investim shumë i madh dhe kur hyn një elefant i madh në park, natyrisht që do hajë shumë e do nxjerrë shumë. Resorti në Divjakë nuk është një investim ekologjik, pavarësisht ‘vizatimeve’ që janë bërë ku duken kryesisht ca shtëpi të vogla nën pemë,” shprehet Xhemal Mato, drejtor ekzekutiv i organizatës EkoLëvizja.
“Të hysh në një zonë të mbrojtur dhe të mos e lesh natyrore, por ta bësh me bimë të tjera që i sjell nga jashtë apo rrugë e lulishte që duken natyrore, ai tjetërsohet sepse është artificiale dhe ti ke prishur gjithë ekosistemin,” shtoi ai.
Edhe pse teorikisht në Karavasta dhe Nartë nuk mund të ndërtohet pasi janë zona të mbrojtura, profesor Aleko Miho nënvizon se banorët duhet të ndërgjegjsohen pasi në Shqipëri ligjet për mbrojtjen e mjedisit rrallë respektohen.
“Te ne shpallja e zonave të mbrojtura mbetet në letër dhe vendimmarrja jep leje ku të mundë, dhe janë raste tejet të rënda sepse ne tashmë kemi zona ku tashmë është ndërtuar,” tha ai.
Profesor Miho thotë se projekti për resort në Karavasta është një rast ‘flagrant’ i shkeljes së ligjit, duke shtuar se e njëjta gjë vlen dhe për projektin në Nartë – edhe pse kjo e fundit ka një kategori më të vogël mbrojtjeje.
“Projekti në Divjakë është pjesa më arrogante e atyre që janë sot në fuqi,” tha ai. “Zonat e mbrojtura shpallen për t’u mbrojtur nga ndërtimet, jo nga alienët,” përfundoi Miho./Birn