Ekonomi Investimi i dhëndrit të Trump në Sazan, Rama: Kemi nevojë për super...

Investimi i dhëndrit të Trump në Sazan, Rama: Kemi nevojë për super luks

Kryeministri Edi Rama ka folur për planet e Jared Kushner në bregdetin shqiptar, konkretisht në ishullin e Sazanit. Rama është shprehur se Shqipëria ka nevojë për investime luksoze, në mënyrë që të tërheqë turistë që shpenzojnë shumë.

“Ne kemi nevojë për super luks, ashtu si një shkretëtirë ka nevojë për ujë”, është shprehur Rama për ‘Financial Times’.

Rama sqaron se qasja fillestare për projektin miliona dollarësh të dhëndrit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump për transformimin e ishullit të Sazanit u bë nga vetë Kushner, gjatë një vizite që ai ka pasur në Shqipëri.

Ndryshe ndodhi në Serbi, ku u dërgua si negociator i Kushner me qeverinë vendase, ish-i dërguari special i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

“Kushner dhe Grenell paraqitën ofertën e tyre në Shqipëri përpara se të ktheheshin për të investuar në Serbi. I vetmi ndryshim është se në Shqipëri ishte Kushner, jo Grenell, ai që bëri qasjen fillestare”.

“Në Serbi sigurisht që Grenell ishte prezantuesi, por këtu jo”, shprehet Rama për ‘FT’.

Në mars kreu i qeverisë theksoi se, Kushner ka bërë një kërkesë zyrtare për ishullin e Sazanit, që ai të investojë aty për ngritjen e një resorti turistik luksoz. Megjithatë, Rama ka thënë po ashtu se Kushner me kompaninë e tij nuk ka bërë kërkesë zyrtare sa i takon Zvërnecit.

Vetë fakti se investimi mund të ndodhë ndërkaq, sipas Ramës, do të sjellë fitime të jashtëzakonshme për Shqipërinë, pasi në idenë e ngritjes së një zone luksi turistik, një turist aty pritet të shpenzojë një shumë aq sa 100 turistë të zakonshëm në vend, duke u kthyer kështu në një zonë të turizmit të lartë për herë të parë në Shqipëri.

Pse po e kërkon Kushner investimin e Sazanit?

“Jared Kushner, dhëndri i ish-Presidentit amerikan, Donald Trump dhe një figurë e shquar në politikën amerikane, ka vendosur synimin e tij në Ballkan me planet për tre zhvillime transformuese të pronave në Shqipëri dhe Serbi.

Përpjekja e Kushnerit në rajon vjen ndërsa firma e tij e kapitalit privat me bazë në Miami, Affinity Partners, angazhohet në diskutime të avancuara për investime që tejkalojnë 1 miliard dollarë, me shpresën për të riformuar peizazhin e turizmit dhe pasurive të paluajtshme në Evropën Juglindore.

Ndër projektet ambicioze është shndërrimi i ishullit të Sazanit të Shqipërisë, dikur një bastion ushtarak, në një komunitet luksoz eko-resort të markës Aman.

“Aftësia për të zhvilluar 3 milje vijë bregdetare të bukur dhe një ishull 1400 hektarësh në mes të zemrës së Mesdheut është unike”, tha Kushner fillimisht për “The Neë York Post”.

“Uji është blu kristal si Maldivet. Është e bukur. Plazhet janë të pabesueshme dhe është vetëm një nga këto vende të veçanta.”

Kushner tërhiqet nga sektori i turizmit në zhvillim të Shqipërisë, i nxitur nga rritja e tij e shpejtë dhe vlerësimi ndërkombëtar.

Veçanërisht, Ksamili i Shqipërisë renditet ndër destinacionet kryesore globale në Airbnb, duke reflektuar daljen e vendit nga e kaluara e tij komuniste për t’u bërë një pikë e nxehtë për udhëtarët që kërkojnë bukuri të paprishur dhe intriga historike.

Dikur e quajtur “Koreja e Veriut e Evropës”, Shqipëria ka pësuar një evolucion dhe tani krenohet me stabilitetin makroekonomik, një industri turistike në rritje dhe një tërheqje në rritje për investitorët ndërkombëtarë.

Të dhënat nga UNWTO (Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara) nënvizojnë ngjitjen e Shqipërisë si destinacioni turistik me rritje më të shpejtë në Evropë, duke e pozicionuar atë përkrah peshave të rënda globale si Katari dhe Arabia Saudite”, thuhet në shkrimin e FT.