Interi ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri, teksa këtë të premte ka ardhur edhe rinovimi i trajnerit Simone Inzaghi, i cili do të jetë në krye të zikaltërve deri në verën e 2026-ës
Tekniku mbërriti në zyrat e klubit paradite dhe firmosi kontratën e re, nga e cila do të përfitojë 6.5 milionë euro në sezon, plus 3 të tjera në total bonus, teksa më pas u ndal në një konferencë të gjatë për shtyp.
“Kisha oferta të shumta, por zgjodha të qëndroj te Interi, pasi jam këtu prej tre sezonesh dhe kam kaluar shumë mirë. Falënderoj shoqërinë për besimin që më dha dhe tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të nisim përgatitjet për sezonin e ri. Të fitosh është shumë e vështirë, por të konfirmohesh është akoma më e komplikuar, ndaj duhet të punojmë shumë më tepër”, u shpreh Inzaghi.
Interi ka zyrtarizuar tashmë tre futbollistë të rinj për sezonin e ri, të cilët Inzaghi i ka vlerësuar jo pak, teksa pranoi se pret ende përforcime deri në fund të merkatos.
“Kemi marrë Zielinskin, që e njohin të gjithë, pasi ka vite në Serinë A dhe është një futbollist me vlera të mëdha. Taremin e kemi studiuar dhe kemi pasur mundësinë ta përballojmë edhe si kundërshtar, ndërsa në portë kishim mundësi zgjedhjeje, por preferuam Martinez pasi përshtatet me idetë tona për lojën dhe ka bërë dy sezone mjaft të mira te Genoa. Dëmtimi i Buchanan na prishi pak planet, por jam i bindur qe drejtuesit do të gjejnë një zëvendësues shumë cilësor. Shpresoj që të rinjtë të arrijnë të përshtaten shpejt, pasi na pret një sezon i gjatë dhe kemi nevojë për të gjithë”, tha tekniku zikaltër.
Sezoni i ri pritet të ofrojë jo pak rivalitet, teksa krahas Napolit e Milanit që kanë ndryshuar trajner, Inzaghi pranon se edhe të tjera skuadra pritet të bëjnë shumë mirë.
“Milani dhe Napoli kanë trajnerë të rinj dhe do të provojnë të marrin maksimumin. Kanë entuziazëm dhe po punojnë edhe për t’u përforcuar. Nuk duhet të harrojmë as skuadra si Atalanta, që prej vitesh është aty, në nivele të larta, por edhe Bolonja që do të kërkojë konfirmimin. Do të jetë sezon shumë i vështirë”, pranoi tekniku i Interit.