Bota Iran: Një vit pas vdekjes së Jina Mahsa Amini

Iran: Një vit pas vdekjes së Jina Mahsa Amini

Një grua me shpinë nga kamera, dorën e djathtë të e ka të ngritur dhe me dy gishtat ka bërë shenjën V. Ajo është në buzë të rrugës dhe para saj sapo ka shpërthyer një bombë “Molotov”.

Një vit më parë, 22-vjeçarja Jina Mahsa Amini vdiq në paraburgimin e policisë. Vdekja e saj shkaktoi një valë të madhe demonstratash në vend, që e ndryshuan Iranin.

Pak më shumë se një javë para përvjetorit të parë të vdekjes së saj, familja e Jina Mahsa Aminit doli në publik. Më 8 shtator, ajo njoftoi në Instagram se do të donte të mbante zi te varri i Mahsës më 16 shtator. Ashtu si çdo familje e pikëlluar, të afërmit e saj do të mbanin një shërbesë fetare për të kujtuar vajzën e tyre të dashur, thuhej në njoftim. Familja e Mahsës është nën vëzhgimin e forcave të sigurisë prej një viti.

Forcat e sigurisë në Iran nuk po vëzhgojnë vetëm familjen. Ata monitorojnë shumë varreza në vend për të parandaluar tubime, pasi këto mund të çojnë shpejt në protesta si një vit më parë. Familjet e viktimave janë nën presion të madh. “Nuk kemi parë kurrë më parë kaq shumë arrestime të familjarëve të viktimave”, shkruan aktivistja e të drejtave të njeriut, Shiva Nazar Ahari i pyetur nga DW. Nazar Ahari është anëtar i Komitetit Iranian për të Drejtat e Njeriut. Ajo është arrestuar disa herë gjatë dekadave të fundit dhe ka kaluar disa vite në burg. Ajo jeton në Slloveni që nga tetori i vitit 2018.

“Deri tani janë arrestuar mbi 40 familjarë të viktimave. Dhe numri i arrestimeve po rritet çdo ditë”, thotë Ahari. “Aktivistët për çështje politike ose shoqërore ose janë në burgje, ose duke u marrë në pyetje ose duke u kërcënuar.  Këto metoda pengojnë përkohësisht protesta të mëtejshme.”

Një grup demonstruesish mbajnë në dorë fotografinë e Mahsa Aminit me mbishkrimin: Say her name.

Lind lëvizja më e madhe të protestës në dekada

Jina Mahsa Amini u arrestua vitin e kaluar gjatë një udhëtimi në kryeqytetin e Iranit, Teheran, dhe u dërgua në një stacion policie, dyshohet se nuk mbante shaminë e saj siç duhet. Në Iran ekziston një detyrim i rreptë për gratë që të mbajnë shami në publik. Disa orë më vonë ajo u dërgua e pajetë nga paraburgimi i policisë në spital. Tre ditë më vonë, më 16 shtator, ajo u shpall zyrtarisht e vdekur.

Në funeralin e Jina Mahsa Aminit, në qytetin e saj të lindjes, Saghes, një qytet kurd në Iranin perëndimor, nisi protesta e parë e cila u përhap shpejt në të gjithë vendin. Pjesëmarrësit, kryesisht gra të reja, hiqnin shamitë e tyre. Motoja e tyre: “Gruaja, Jeta, Liria”. Tubimet mbarëkombëtare u zhvilluan në protestat më të mëdha dhe më të gjata që nga themelimi i Republikës Islamike në vitin 1979.

Qeveria iu përgjigj kësaj me shtypje dhe dhunë masive. Nuk ka shifra të sakta, por sipas organizatave të pavarura të të drejtave të njeriut, gjatë protestave midis 16 shtatorit 2022 dhe fundit të janarit 2023, forcat e sigurisë në Iran vranë të paktën 527 protestues, përfshirë 17 të mitur.

Shamia si simbol i shtypjes sistematike

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Shiva Nazar Ahari, është e bindur se këto protesta kanë ndryshuar përgjithmonë marrëdhëniet politike dhe sociale në shoqërinë iraniane.

Një nga ndryshimet më domethënëse është pamja e grave në publik. Pavarësisht masave më të rrepta ndëshkuese si gjobat, shumë gra refuzojnë të mbajnë shaminë e detyrueshme. Ato e shohin shaminë si një simbol të shtypjes dhe poshtërimit sistematik dhe nuk duan më të ndjekin rregullat që lidhen me të.

Që nga Revolucioni Islamik, imazhi i gruas ka luajtur një rol të rëndësishëm në ideologjinë shtetërore. Një grua pa hixhab shihet si simbol i një stili liberal jetese perëndimore dhe shihet nga forcat konservatore si një sulm kulturor kundër kulturës islame. Imazhi i gruas i propaganduar nga sistemi politik është që një grua duhet jo vetëm të mbajë hixhabin, por edhe të jetë e përulur dhe  e nënshtruar.

Gratë iraniane diskriminohen prej tashmë shumë dekadash. Këtë e konstaton edhe një raport i Fondacionit të Forumit Ekonomik Botëror (WEF). Në ‘Raportin mbi hendekun gjinor’ të vitit 2022, Irani renditet në vendin e 143-të nga gjithsej 146. WEF shqyrton barazinë gjinore në fushat e biznesit, arsimit, shëndetësisë dhe politikës. Pjesëmarrja politike e grave në veçanti luan një rol vendimtar në këtë renditje.

Dënime më të ashpra për shkeljet

Parlamenti i Iranit miratoi një ligj të diskutueshëm më 22 gusht që do të vendosë dënime më të ashpra për shkeljen e kodeve islame të veshjes. Këto përfshijnë deri në 15 vjet burg për shkelje të shumta. Publikimi i fotografive të grave pa shami në internet është gjithashtu vepër penale. Përveç kësaj, janë planifikuar ndalime për dalje jashtë shtetit.  Gjyqësori po kërcënon të mbyllë supermarketet, restorantet dhe muzetë që lejojnë hyrjen e grave pa shami.

Ligji i ri forcon mbrojtjen për gratë e mbuluara. Kush i fyen ato dënohet me gjashtë muaj burg dhe 74 të goditura me kamxhik. Në këtë mënyrë, pushtetarët po përpiqen të futin një pykë në popullatë.

Vdekja e Jina Mahsa Amini ka bërë që shumë iranianë të largohen nga vendi. Në tetor 2022, mërgimtarët iranianë në Gjermani organizuan një tubim solidariteti në Berlin. Sipas policisë, aty morën pjesë rreth 80 000 njerëz morën pjesë në protestë. Dhe si shenjë njohjeje, aktivistët e opozitës iraniane u përfaqësuan në podium në vend të përfaqësuesve të qeverisë për herë të parë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në shkurt 2023.

“Formimi i një opozite brenda Iranit është shumë i vështirë për shkak të represionit nga forcat e sigurisë. Shumë prisnin ose shpresonin se emra dhe personalitete të mëdha do të ndërtonin një opozitë mes të mërguarve iranianë,” thotë Arash Azizi, ekspert i Lindjes së Mesme në Universitetin e Nju Jorkut, në një intervistë për DW: “Kishte një zhgënjim të madh kur disa personalitete u distancuan nga protestuesit, pasi më parë iu ishin bashkuar atyre”. Por Azizi shton se tekefundit “forca vendimtare për ndryshimin në Iran qëndron tek shumë njerëz të guximshëm që janë aktualisht pas hekurave. Vetëm ata mund ta bëjnë këtë.”/DW