Një OJQ iraniane e quajtur Lidhja Habiliane ka shtuar një rubrikë të re shqip në uebsajtin e vet të lajmeve, Habilian, me synimin për të shënjestruar aktivistët e opozitës iraniane që kanë marrë statusin e refugjatët në Shqipëri në vitet e fundit.
“Lidhja Habilian ka lançuar të parin uebsajt të specializuar në gjuhën shqipe që ofron lajme, analiza dhe dokumente mbi krimin e kryer nga organizatat Mujahedin-e-Khalq,” shkruan postimi i parë shqip i publikuar në uebsajt më 29 janar.
Habilian është një nga disa media iraniane që së fundmi ka filluar të publikojë në shqip.
Ndërsa vendimi i tij për të publikuar në gjuhën e një vendi të vogël ballkanik mund të duket i pazakontë, Habilian është i hapur rreth faktit se shënjestron anëtarët e Mojahedin-e-Khalq, Muxhahedinët Popullor të Iranit, që jetojnë në Shqipëri.
Ndërsa disa besojnë se qeveria iraniane po e mbështet atë dhe media të tjera iraniane që shënjestojnë MEK, një burim diplomatik nga ambasada iraniane në Tiranë e mohoi këtë.
Shqipëria ra dakod të marrë anëtarë të MEK në 2013, kur kryeministri i atëhershëm Sali Berisha i ofroi strehim disa iranianëve atëherë të mbrojtur nga forcat amerikane në Irak.
Muxhahedinët Popullorë të Iranit është një grup kontrovers rezistence. I themeluar në 1965 si një opozitë e të majtës ndaj regjimit të Shahut, grupi iu kthye kundër Republikës Islamike pas revolucionit të 1979.
SHBA e listoi atë si një organizatë terroriste në 1997 por u hoq nga lista e zezë në 2012 pasi hoqi dorë nga dhuna.
Autoritetet shqiptare kanë mohuar të japin numrin e saktë të anëtarëve të MEK dhe familjeve të tyre që gjetën strehë në vend, por vlerësimet sugjerojnë se janë rreth 2000.
Beteja online
Uebsajti i Lidhjes Habilian thotë se është një OJQ iraniane e të drejtave të njeriut e krijuar me synimin e sqarimit të faktit se Irani është një nga viktimat më të mëdha terrorizmit.
Uebsajti thotë se organizata është themeluar në 2005 nga një grup familjesh të viktimave iraniane të terrorit, vrarë nga organizatat si MEK.
“Teksa më shumë se 2000 anëtarë nga ky kult i rrezikshëm janë zhvendosur në Shqipëri, uebsajti shqip i Lidhjes Habilian u lançua për të informuar publikun në Shqipëri rreth natyrës së vërtet të MEK dhe të përgatisë popullin shqiptar rreth kërcënimeve që vijnë nga ky grup terrorist,” shkruhet në të.
Një anëtar i Lidhjes Habilian, Masoud Heidari, i tha BIRN se rubrika shqip e uebsajtit synon “të paralajmërojë” shqiptarët rreth Muxhahedinëve Popullorë të Iranit.
“Ne vendosëm se kishim përgjegjësi të paralajmëronim median shqiptare, politikanët dhe më e rëndësishmja, të gjithë popullin shqiptar, për kapacitetet e këtij grupi terrorist për të korruptuar politikanët, [për t’u përfshirë] në aktivitete të pastrimit të parave dhe së fundmi për natyrën e tyre të kultit,” tha ai.
Faqja shqip e uebsajtit është mbushur me artikuj dhe video të detajuara që theksojnë rreziqet e grupit MEK.
Gjithashtu publikon video nga një kanal YouTube i quajtur Impakt që transmeton intervista me ata që e quajnë veten ish-anëtarë të MEK.
Kanali i YouTube është i lidhur me një gazetë shqiptare, gjithashtu quajtur Impakt, i cili që nga vera e shkuar ka shkruar rreth rreziqeve që vijnë nga MEK në Shqipëri.
Habilian nuk është e para organizatë mediatike në Iran që ka filluar publikimin në shqip.
Në korrik 2016, Irani lançoi median Pars Today në shqip, bashkë me 24 gjuhë të tjera. Pars Today është pjesë e korporatës mediatike shtetërore Radiotelevizioni i Republikës Islamike të Iranit, IRIB.
Më 3 mars, Pars Today publikoi një artikull në shqip të titulluar “Mbështetja për terrorizmin dhe Mujahedeen-e-Khalq dëmton besueshmërinë dhe interesat e Shteteve të Bashkuara”.
Uebsajti ka disa artikuj rreth anëtarëve të MEK, të cilët përshkruhen si grup dhe kult terrorist.
BIRN pyeti Pars Today të shpjegojë interesin e tyre në hapjen e rubrikës shqip, por nuk mori përgjigje në kohën e publikimit.
Organizata opozitare iraniane, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit, gjithashtu ka një seksion shqip në uebsajtin e vet zyrtar, bashkë me gjashtë gjuhë të tjera.
Fushatë disinformimi?
Linda Chavez, një ish-përfaqësuese amerikane në Komisionin e OKB për të Drejtat e Njeriut e cila vizitoi Shqipërinë në fund të shkurtit për të parë se si po jetojnë anëtarët e MEK në vend, i tha BIRn se artikujt e publikuar në shqip ishin propagandë e qeverisë iraniane.
Chavez e përshkroi atë si një fushatë disinformimi që synon t’i bëjë jetët e anëtarëve të MEK më të vështira në vend.
“Shpresoj se nuk do të dëgjohet nga populli shqiptar sepse MEK – me të cilin kam lidhje të gjatë – kundërshton regjimin misogjinist anti-gra në Iran i cili po vazhdon të shtypë popullin e vet,” tha ajo.
“Rreziku sipas meje është nëse propaganda iraniane merret seriozisht,” shtoi ajo.
Ajo tha se iranianët që jetojnë në Shqipëri ishin në proces të marrjes së statusit të refugjatit dhe kishin filluar ngadalë të integrohen në shoqëri.
Pasi BIRN kontaktoi ambasadën iraniane, një burim nga ambasada këmbënguli se qeveria nuk kishte lidhje me këto uebsajte.
“Ne e bëjmë punën këtu sipas funksioneve/rolit tonë diplomatik dhe marrëdhënies së mirë me qeverinë e Shqipërisë dhe nuk kemi asnjë lidhje me këto uebsajte, gazeta apo kanale YouTube,” tha burimi.
MEK në Shqipëri duket se ka një mbështetje të fortë politike. Politikanët dhe deputetët shqiptarë nga mazhoranca qeverisëse dhe opozita morën pjesë në eventin “Lironi Iranin” të organizuar nga MEK në Paris në korrik 2016.
Megjithatë, më 14 janar ministri i jashtëm Ditmir Bushati bëri vizitën e parë të një diplomati të lartë shqiptar në Tehran, ku takoi homologun e tij dhe presidentin Hassan Rouhani.
Gjatë vizitës së tij, Shqipëria dhe Irani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në lidhje me mbajtjen e bisedimeve politike të rregullta.
Opozitarët iranianë nuk u përmendën në një deklaratë për shtyp të ministrisë së jashtme për këtë çështje.
Por ambasadori i Iranit në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia, tha se çështja që ai quajti “kult terrorist” u diskutua gjatë vizitës së Bushatit.
Mohammadnia tha se Irani është siguruar se anëtarët e MEK nuk kanë leje të merren me aktivitet politik ndërsa jetojnë në Shqipëri, raportoi uebsajti Albanian Daily News.
“Kështu, ata njerëz nuk lejohen të kërcënojnë sigurinë apo interesat e Iranit brenda dhe jashtë Shqipërisë,” shtoi Mohammadnia./BIRN