Në një përpjekje të re për të frenuar numrin në rritje të grave që kundërshtojnë kodin e detyrueshëm të veshjes, autoritetet iraniane po instalojnë kamera në vende publike dhe në rrugë për të identifikuar dhe penalizuar gratë që nuk vendosin shami të kokës, njoftoi policia të shtunën.
Pasi të identifikohen, shkelëset do të pranojnë “një mesazh paralajmërues sa i përket pasojave”, tha policia përmes një deklarate.
Ky vendim synon “të parandalojë rezistencën kundër ligjit për hixhab”, tha policia përmes deklaratës që u publikua nga agjencia e lajmeve Mizan dhe mediat e tjera shtetërore.
Autoritetet shtuan se rezistenca e tillë prish imazhin shpirtëror të shtetit dhe përhap pasiguri.
Protestat shpërthyen muajt e kaluar nga vdekja në paraburgim, si pasojë e dhunës policore, e Mahsa Aminit, një grua e re kurde, e arrestuar sepse nuk kishte vendosur si duhet hixhabin.
Që nga vdekja e saj, një numër në rritje i grave i kanë “hedhur” mbulesat e tyre, veçanërisht në qytetet më të mëdha, pavarësisht rrezikut të arrestimit.
Grave në Iran u kërkohet ligjërisht të mbulojnë flokët e tyre me shami që kur Revolucioni Islamik i vitit 1979 vendosi një interpretim të rreptë të ligjit fetar. Gratë që shkelin ligjin përballen me gjoba ose arrestime.