Një komandant i Gardës Revolucionare iraniane ka kërcënuar Perëndimin, duke thënë se do të mbyllin detin Mesdhe nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre vazhdojnë të kryejnë “krime” në Gaza.
“Ata së shpejti do të shohin mbylljen e Detit Mesdhe, Ngushticës së Gjibraltarit dhe rrugëve të tjera ujore”, citoi Tasnim të thoshte gjenerali Mohammad Reza Naqdi, i cili mban postin e komandantit koordinues të Gardës Revolucionare.
Irani nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në Mesdhe dhe nuk ishte e qartë se si Garda mund të përpiqet ta mbyllë atë. Grupet e vetme të mbështetura nga Irani në Mesdhe janë Hezbollahu i Libanit dhe milicia aleate në Siri, në skajin më të largët të detit nga Gjibraltari.
Megjithatë, Naqdi foli për “lindjen e fuqive të reja të rezistencës dhe mbylljen e rrugëve të tjera ujore”. “Dje, Gjiri Persik dhe Ngushtica e Hormuzit u bënë një makth për ta, dhe sot janë bllokuar në Detin e Kuq”, citohet të ketë thënë ndër të tjera Naqdi.
As në raportimin e mediave iraniane nuk është shpjeguar se si do të realizohet “kyçja” e Mesdheut, por fakt është se rebelët Houthi të mbështetur nga Teherani në Jemen kanë futur në kolaps ekonominë globale, duke goditur me dronë kamikazë dhe raketa anijet e transportit të mallrave në Detin e Kuq.
Kjo ka çuar në krijimin e një koalicioni ndërkombëtar të drejtuar nga SHBA për të patrulluar Detin e Kuq dhe ruajtur sigurinë e anijeve që kalojnë përgjatë Kanalit të Suezit.
Sakaq Irani është pjesë boshtit që mbështet Hamasin kundër Izraelit dhe akuzon Shtetet e Bashkuara se kanë lejuar krimet izraelite në Gaza, aty ku javë të tëra bombardimesh kanë vrarë mijëra njerëz dhe kanë çuar në shpërnguljen e shumicës së popullsisë nga shtëpitë.
Sakaq, Shtëpia e Bardhë tha të premten se Irani është “thellësisht i përfshirë” në planifikimin e operacioneve kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq.