Irani i ka dërguar Shqipërisë notë proteste lidhur me dëbimin e ambasadorit të Republikës Islamike nga Tirana, duke shkruar se kjo është një sjellje e papranueshme.
Lajmi raportohet nga agjencia shtetërore e lajmeve, “Irna”, që citon zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme iraniane.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Bahram Qasemi thotë se Shqipëria nuk ka përfaqësi diplomatike në Teheran dhe për këtë ka përdorur kanale të tjera për të shfaqur protestën e ashpër ndaj vendit tonë.
Zyrtari iranian shtoi se Shqipëria nën presionin e qeverisë amerikane dhe “shërbimit sionist të inteligjencës” në bashkëpunim me grupe terroriste anti-iraniane, dëboi dy diplomatë iranianë.
Ndër të tjera zëdhënësi dënon këtë veprim dhe thotë se është vazhdim i skenarit për të sabotuar marrëdhëniet mes Iranit dhe Evropës.