Raketa që i mori jetën liderit të Hamasit, Ismail Haniya, është goditur nga territore jashtë Iranit. Kështu raporton uebsajti libanez i lajmeve pro-Hezbollahut, al Mayadeen, duke cituar një burim iranian.
“Raketa e përdorur për të vrarë Haniya në një sulm në rezidencën e tij në Teheran u lëshua nga një vend tjetër dhe jo nga brenda Iranit”, mësohet të ketë thënë zyrtari.
Ndërkohë në reagimin e parë të Teheranit zyrtar për ngjarjen thuhet se vrasja e Haniya do të forcojë lidhjet midis Teheranit, Palestinës dhe rezistencës.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanani gjithashtu kërcënoi ata që organizuan vrasjen, duke thënë se gjaku i liderit të vrarë të Hamasit “nuk do të shkojë dëm”.
“Martirizimi i Haniya në Teheran do të forcojë lidhjen e thellë dhe të pathyeshme midis Teheranit, Palestinës dhe rezistencës”, shtoi Kanani, sipas medias shtetërore iraniane.
Në të njëjtën kohë, përfaqësuesi i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit deklaroi se vrasja e Haniya “ishte një akt i neveritshëm dhe se autorët e tij do të marrin përgjigjen që meritojnë”.