Irani e pati lajmëruar më parë Amerikën se sulmi ndaj Izraelit do të ishte i përmbajtur, teksa është “garantuar” se prioritet i Republikës Islamike është “siguria e fqinjëve”.
Kështu i ka pohuar ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, disa ambasadorëve të huaj, të cilët i ftoi në takim.
Mes tyre, diplomatë të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.
Disa pika i ka përmendur kryediplomati iranian në takim:
-Ne informuam SHBA-të se operacioni ynë kundër Izraelit do të jetë “i kufizuar” dhe për vetëmbrojtje.
-Ne nuk kërkojmë të zgjerojmë konfliktin në rajon.
-Ne kemi informuar SHBA-të se do të shënjestrojmë bazat e saj nëse Irani vihet në shënjestër.
-Rreth 72 orë para operacionit, ne informuam fqinjët tanë dhe vendet në rajon se përgjigja e Iranit, si pjesë e një mbrojtjeje legjitime, ishte e sigurt dhe përfundimtare.
-Siguria e vendeve fqinje është në krye të prioriteteve të Iranit.
Këto janë pikat e parashtruara nga Abdollaihian.
Bota ndërkaq është rreshtuar në dënimin e sulmit masiv që Teherani lëshoi ndaj Izraelit, ku me qindra dronë dhe raketa (përfshi ato balistike) u nisën me furi drejt shtetit hebre.
Teherani kishte kërcënuar se do të sulmonte Izraelin pas një sulmi ajror më 1 prill, për të cilin fajësohej gjerësisht Izraeli, i cili shkatërroi konsullatën e Iranit në Siri, duke vrarë 12 persona, përfshirë dy gjeneralë elitë iranianë.
Forcat izraelite thanë në një deklaratë herët të dielën se “shumica dërrmuese” e raketave të lëshuara nga Irani u kapën jashtë kufijve të Izraelit.