Irlandezët po revolucionarizojnë demokracinë duke zgjedhur me short asamblenë e qytetarëve
Kur flet për demokracinë të shkon mendja tek votuesit, zgjedhjet dhe të zgjedhurit. Të zgjedhurit debatojnë dhe vendosin për ligjet, të cilave gjithkush duhet t’u përmbahet. Por rezultatet e kësaj procedure nuk janë gjithmonë të kënaqshme. Po a mund të ketë alternativa në një demokraci? Irlandezët mendojnë se po, dhe ata po revolucionarizojnë demokracinë.
Projektet e vështira legjislative në Irlandë ka disa vjet që nuk parapërgatiten nga politikanët profesionistë që janë në konkurrencë politike, por nga një grup qytetarësh. Anëtarët e kësaj asambleje të qytetarëve përcaktohen me short. I vetmi kusht është që në asamble duhet të jenë të përfaqësuara të gjitha grupimet shoqërore. Rezultatet janë të habitshme.
Finbarr O’Brien është postier, 62 vjeç. Politikanët ishin për të gjithë jetën “ata aty lart”. Deri sa një ditë atij i ra shorti të zgjidhej anëtar i asamblesë së qytetarëve. Finbarri ka qenë pjesëmarrës i asamblesë së parë në vitin 2014. “Unë nuk kisha asnjë ide për politikën. Dhe as pikën e interesit. Deri sa dikush më pyeti nëse desha të bëhesha anëtar i një asambleje qytetarësh.” – tregon ai.
Diskutime me objektivitet
Asambleja e qytetarëve rregullon të ardhmen e Irlandës. Para tre vjetësh Finbarri duhet të jepte votën në lidhje me lejimin e martesës së homoseksualëve në Irlandë. Kjo i solli në mend kujtime të pakëndshme. “Keni dëgjuar ju për priftërinj pedofilë? Mua të tillë më kanë shpërdoruar kur isha fëmijë. Që prej asaj kohe mendoja se homoseksuelët janë të gjithë njëlloj: brutalë. Pavarësisht nëse janë pedofilë, homoseksualë apo lesbike, të gjithë njësoj janë: Unë i urrej dhe i përbuz ata.”
Legalizimi i martesës së homoseksualëve konsiderohej si një gjë krejtësisht e pamundur për shkak të pushtetit të kishës dhe të konservatorizmit të shoqërisë irlandeze. Megjithatë asambleja e qytetarëve e diskutoi me objektivitet para tre vjetësh këtë temë tabu. Dhe gjatë diskutimeve edhe Finbarr O’Brien ndërroi mendje. “Unë mësova se homoseksuelët janë njerëz normalë. Ata nuk i ngacmojnë fëmijët. Prandaj mora fjalën në asamble dhe thashë se do të votoja pro martesës së homoseksualëve.” Shumica e asamblesë votoi pro dhe vota e tyre pasoi nga një referendum. Dhe në fund Irlanda katolike miratoi martesën e homoseksualëve.
Pjesëmarrje, e drejtë fjale dhe ndikim
Eksperimenti me demokracinë qytetare po zhvillohet që prej katër vjetësh. 99 anëtarët e kësaj asambleje janë qytetarë normalë: të rinj, të vjetër, akademikë apo punëtorë. Ata zgjidhen për një vit, rastësisht dhe përmes një shorti. Tani ata po diskutojnë për të ardhmen e pensioneve. Shqyrtojnë statistika, dëgjojnë ekspertë.
Punë e mundimshme dhe jo me dyer të mbyllura – po me diskutime që transmetohen live në internet.
“Kriza ekonomike e Irlandës qe e rëndë. Qytetarët ishin shumë të zemëruar dhe ua hidhnin fajin politikanëve. Prandaj lindi ideja që të provojmë një gjë të re: t’i përfshijmë qytetarët në debatet për të ardhmen e Irlandës.” – thotë David Farrell, politolog pranë University College Dublin.
Anëtarët e asamblesë votojnë dhe i japin qeverisë rekomandime se si të veprojë. Politikanët nuk janë të detyruar që ta respektojnë votën e qytetarëve, por ajo është një sinjal i fortë. Por që të funksionojë një asamble e tillë, politikanët duhet të kenë guxim që një pjesë të pushtetit të tyre t’ua lënë në dorë qytetarëve, thotë Finbarri./DW