Rusia do që zgjedhjet presidenciale në SHBA t’i fitojë Kamala Harris. Janë fjalët e presidentit Vladimir Putin, i cili në atë që u duk një koment ironik citoi “të qeshurën e saj infektuese” si arsye për ta preferuar kundrejt Trump.
Putin foli një ditë pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë akuzoi dy drejtues mediatikë rusë, lidhur me një skemë të paligjshme për të ndikuar në zgjedhjet e nëntorit me propagandë pro-ruse.
Shefi i Kremlini ishte shprehur më herët gjatë vitit, para se Biden të tërhiqej nga gara, se preferonte atë ndaj Trumpit sepse ishte një politikan më i parashikueshëm, i shkollës së vjetër. Edhe në atë rast, batuta dukej ironike.
“Nuk është e nevojshme të përcaktoj kandidatin favorit, është zgjedhje e Amerikës në fund. Thashë para pak kohësh se preferoja Biden, por ai doli nga gara dhe u kërkoi përkrahësve të mbështesin Harris. Këtë do të bëjmë dhe ne. E qeshura e saj është shumë ekspresive dhe infektuese, do të thotë që po ia del mirë”, tha Putin.
Shërbimet sekrete amerikane, besojnë se Rusia dëshiron që zgjedhjet t’i fitojë Trump, pasi ky i fundit është më pak i përkushtuar të mbështesë Ukrainën në luftën kundër Moskës.
Në fjalën e tij gjatë Forumit Ekonomik Lindor në Vladivostok, presidenti Putin foli gjithashtu për luftën duke thënë se inkursioni i trupave ukrainase në territorin rus, ka dështuar të ngadalësojë përparimin e forcave të Moskës në Donbas.
Sipas tij, duke zhvendosur një numër të madh njësish të trajnuara në rajonet kufitare ruse, Kievi ka dobësuar mbrojtjen dhe ka i lejuar trupave të tyre të përshpejtojnë avancimin në lindje të Ukrainës. Putin theksoi se ishte detyrë e shenjtë e forcave të armatosura të dëbonin pushtuesit dhe të mbronin qytetarët e Rusisë.