Kryetari i LDK-së në Kosovë, Isa Mustafa e konsideron të papranueshëm shkarkimin nga detyra të ministrit të Brendshëm të Kosovës Agim Veliu, i cili është nga radhët e LDK.
Në një postim në Facebook, Mustafa thotë se shkarkimi i Veliut është shkelje e marrëveshjes së koalicionit me Vetëvendosjen.
Sipas tij, ministrat e LDK-së mund të shkarkohen pas konsultimit me kryetarin e partisë në koalicion, në këtë rast me Isa Mustafën. Ky i fundit pohon se Kryeministri Albin Kurti nuk është konsultuar me të për të shkarkuar ministrin e Brendshëm.
Mustafa kërkon që Kurti të anulojë shkarkimin e ministrit Veliu, në të kundërt, thotë ai, veprime të tilla do të çojnë në prishjen e koalicionit qeverisës mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.
Reagimi i kryetarit të LDK, Isa Mustafa:
“Për mua dhe LDK-në është i papranueshëm shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu.
Kjo është shkelje e Marrëveshjes së koalicionit. Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së.
Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij te bëra publike.
Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim për heqjen e taksës deri në fund të javës. Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe çojnë në prishje të koalicionit”.