Kreu i LDK, Isa Mustafa, bëri të ditur se partia e tij ka vendosur që ti japë të drejtën të bëjë koalicion me AAK dhe NISMA për qeverinë e re në Kosovë.
Sipas Mustafës, shumica dërrmuese e Këshillit të Përgjithshëm të LDK (108 vota pro dhe 6 kundër) kanë përkrahur nisjen e bisedimeve që kjo forcë politike të formojë qeverinë në Kosovë me Ramush Haradinaj të AAK dhe Fatmir Limaj të NISMA-s.
Më poshtë njoftimi i Isa Mustafës në faqen zyrtare të LDK pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj force politike këtë të martë.
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,
Ju falënderoj për shprehjen e qëndrimit tuaj në letrën që ua përcolla më dt. 12 prill dhe plotësimin e saj më 13 prill 2020.
Kam nderin tu njoftoj se deri në përfundim të afatit të shprehjes së qëndrimit tuaj, sot më 14 prill 2020 në ora 16:00, në pyetjen e shtruar: A pajtoheni që LDK ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë Qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe komunitetet, nga 124 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 114 anëtarë të KP, prej tyre 108 janë shprehur për (po), 6 janë shprehur kundër (jo) dhe 10 nuk janë përgjigjur.
Në bazë të kësaj, si Kryetar i LDK-së konstatoj se ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese, për formimin e Qeverisë në një koalicion të mundshëm me AAK, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Me respekt,
Kryetari i LDK-së
Isa Mustafa