Në Dhomat e Specializuara në Hagë nisi këtë të hënë gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Të katër ish-krerët e UÇK-së u shprehën se e kuptojnë aktakuzën e prokurorisë, por deklaruan se janë plotësisht të pafajshëm.
E kuptoj, jam plotësisht i pafajshëm”, tha Thaçi.
“E kuptoj. Po gjithsesi e shpreh pakënaqësinë time për një vonesë të tillë dy vjeçare e gjysmë, megjithatë ju falenderoj. Tërësisht i pafajshëm”, tha Veseli.
“E kuptoj. Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Selimi.
“Unë e kam të vështirë që ta kuptoj akuzën dhe mënyrën si është përpiluar kjo akuzë. Unë nuk kam asnjë lidhje me asnjërën nga pikat që i lexoi prokurorja para pak kohe. Akuzën e kuptoj kështu siç është, por nuk pajtohem me të pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza. Jam tërësisht i pafajshëm”, tha Krasniqi.
Prokurori i Specializuar do të ketë maksimum pesë orë kohë për të mbrojtur rastin. Pas kësaj, avokati i viktimave do të mbajë fjalën e tij dhe atij i është caktuar një afat prej 45 minutash.
Në ditët në vijim do të flasin edhe avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ndërkohë qindra qytetarë nga Kosova dhe diaspora janë mbledhur më sheshin ‘Laan van Reagan en Gorbatsjov’ në Hagë, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban gjithsej 10 akuza.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura aty janë kryer në periudhën prej Marsit të vitit 1998 deri në Shtator të vitit 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Qytetarë para Gjykatës Speciale në Hagë
Ndërkohë mijëra njerëz mbushën rrugët e Prishtinës të dielën në mbështetje të krerëve të UÇK-së.
Marshimi nisi në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe përfundoi në atë “Skënderbeu”. Në duar dallonin pankarat, “Liria ka emër”, “Historia jonë nuk mund të rishkruhet” dhe “Marshojmë për drejtësi”.
Qytetarët thanë se kanë dalë në rrugë duke besuar në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në marshim ishin të pranishëm edhe familjarë të krerëve të UÇK-së që mbahen në Hagë ku djali i ish-Presidentit Thaçi u duk mjaft i emocionuar.