Me nisjen e hetimit parlamentar nga Kuvendi, Sali Berisha premton se do të bëjë publikë emrat e prokurorëve dhe gjyqtarëve që thotë se kanë qenë bashkëpunëtorë në atë që e cilëson afera “Rama-McGonigal”.
“Kam folur për prokurorë të SKAP-it, por e sigurt që s’janë vetëm ata. Çdo gjë do bëhet publike nëpërmjet komisionit hetimor parlamentar”, tha Berisha.
Në bashkëbisedimin që pati me ndjekësit e rrjeteve sociale, Berisha aludoi se për këtë aferë autoritetet amerikane mund të jenë informuar edhe nga ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo.
“Nëse Helidon Bendo ka informuar partnerët për këtë aferë unë e përgëzoj atë. Ka bërë detyrën e një patrioti, e një shërbimi luajal ndaj vendit mik që ne kemi 1 mijë detyrime”, tha Berisha.
Tha se nuk ndalet deri në zbardhjen e kësaj çështje, në të cilën sipas tij, kryeministrit Rama është i përfshirë në korrupsion, me qëllimin e vetëm asgjësimin e Partisë Demokratike.
“ME Ed Gonigal do bëjmë gjithçka që të ketë fatit e Charles McGonigal”, tha Berisha.
Drejtësinë e munguar tha se do ta bëjë në sheshe me shqiptarët, të cilët i ka thirrur në një revolucion deri në rrëzimin e qeverisë dhe kryeministrit, duke i dhënë edhe një paralajmërim Edi Ramës nëse pengon regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 Majit: “Do përballet me gjithë fuqinë e kësaj partie.”
Berisha komentoi edhe arrestimin e ish-zyrtares së lartë Alda Klosi, pas dëshmisë së dhënë nga sanitarja Rozeta Dobi.
“Rozeta të gjitha strajcat me para, përfshirë hapjen e kasafortës e ka bërë me urdhër të Alda Klosit. Shkoi të fshehë 700 mijë euro të vjedhura së bashku me atë që ai miku e quajti “tigri i korrupsionit”, me Arben Ahmetajn”.
Berisha premtoi se pas ardhjes në pushtet të demokratëve, e djathta do të reformojë sistemin e drejtësisë, ku ligjet të cilat do të miratohen në konsultë me partnerët ndërkombëtarë do t’i nënshtrohen referendumit popullor.